Ministri Mete me investitorët e huaj: Mbyllëm një vit pozitiv, ulëm borxhin publik! Angazhim të përmirësojmë më tej klimën e biznesit
Ministri i Financave Ervin Mete, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA). Ministri e vuri theksin në fjalën e tij në bashkëpunimin me biznesin me qëllim për të çuar përpara perspektivën e ekonomisë shqiptare dhe përmirësuar më tej klimën e biznesit.
Ministri Mete tha se viti 2023 shënoi një moment të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
“Ne kemi patur një vit të mirë në 2023-shin. Po kalojmë një moment të mirë ekonomik, ndërkohë që ishim një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Kemi patur lajme të mira në fund të vitit: Kemi ulur borxhin në masë të konsiderueshme e jemi përmirësuar në vlerësimin e Standard & Poor’s, si edhe kemi dalë edhe nga lista gri. Të dyja këto kanë ndihmuar klimën e biznesit,” u shpreh ai.