Ministri Igli Hasani viziton Kievin, hapet ambasada shqiptare në Ukrainë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka mbërritur këtë të premte në Kiev për një vizite pune në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm Ukrainë-Europa Juglindore.

Takimi ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të sigurisë mes Ukrainës e shteteve të Evropës Juglindore. Gjithashtu takimi do të shërbejë si platformë për diskutime të thelluara mbi zhvillimet aktuale në rajon.

Ministri Hasani është takuar edhe me homologun ukrainas Andrii Sybiha, me të cilin firmosën Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit si dhe hapjen e ambasadës shqiptare në Ukrainë.

“Përfundova vizitën time në Kiev, duke patur nderin të inauguroj ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Ukrainë, përkrah kolegut tim Andrii Sybiha. E hapur gjatë agresionit të vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe e dëmtuar nga sulmet e fundit me raketa ruse, ambasada qëndron jo vetëm si një urë për bashkëpunimin afatgjatë midis vendeve tona, por edhe si një dëshmi për qëndrueshmërinë tonë dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme në paqe e progres dhe të një Evrope të bashkuar, të fortë dhe të begatë” shkruan Hasani në rrjetin e tij social.