Në Ditën e Ndërkombëtarë të Minatorëve, minatorët mbajtën një protestë para Ministrisë së Infrastrukturës. Me pankarta në duar ku në një prej shkruhet “nëntoka ka nevojë për status”, ata kërkuan miratimin e një statusi të veçantë për minatorët.
“Minatorët kanë të drejtën e botës për të kërkuar djersën e tyre, gjakun e tyre sepse kanë dhënë jetën e tyre në ato galeri, mundin e tyre, djersën e tyre për këtë shtet. Nëse minatorët nuk kanë një status të veçantë, atëherë kush do të duhet të ketë.
Minatori futet deri në 3000 metra nën tokë, me rreziqe nga më të mëdha dhe në fund shteti nuk i jep as status të veçantë. Atë që kërkon sot minatorët është një e drejtë minimale. Ministria e Infrastrukturës është përgjegjëse për ngritjen e grupit të punës, për t’iu drejtuar Ministrisë së Ekonomisë për tu bërë statusi i minatorëve”, tha një aktivist gjatë protestës.
Minatorët kanë folur edhe për rreziqet e shumta që ka puna e tyre dhe të gjithë rastet kur punëtorët kanë humbur jetën në galeri për shkak kushteve të këqija. Në kujtim të minatorëve që kanë humbur jetën në galeri ata ndezën qirinj në shkallët e ministrisë.
Ata shprehen se shteti nuk ka investuar pothuajse asgjë për sigurinë e minatorëve në punë.
“Para një ore pamë që një vendim i një grupi prej 9 deputetësh dërgoi në parlament ligjin për heqjen e zonave të mbrojtura dhe në më pak se 10 minuta u votua, por për minatorët nuk shpenzojnë asnjë minutë, për t’i shërbyer popullit të tyre. Kanë shpenzuar vite për të na shtypur, për të na larguar nga vendi e për të na varfëruar”, tha një përfaqësues i qeverisë civilë.
Nëse nuk i plotësojnë kushtet e tyre, minatorët paralajmëruan se do të mblidhen përsëri për të organizuar protesta të mëtejshme dhe kanë theksuar se në çdo bashki të vendit do të ndërtohen sindikatat e minatorëve.
“Flas në emër të minatorëve të bashkisë Klos, rrethi i Matit. Ne do të kërkojmë me vendosmëri gjatë gjithë jetës sonë, ka 25 vite që kërkojmë statusin e minatorit. Jemi të vendosur të sakrifikojmë dhe nuk e lëmë kurrë pa kërkuar të drejtat tonë. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të marrë ë konsideratë kërkesën tonë. Ne duam statusin e minatorit. Ne do të ndërtojmë sindikatat e minatorëve në të gjithë Shqipërinë dhe më pas do të shtrihemi në çdo bashki.”