Miliona euro tendera dhe fonde të BE! Çfarë sekuestroi SPAK në Bashkinë e Tepelenës
Në kuadër të dyshimeve për shpërdorim detyre, korrupsion dhe denoncimeve në lidhje me fondet shtetërore për dhënien e tenderave, SPAK ka zbarkuar ditën e djeshme në Bashkinë e Tepelenës.
Mësohet se pjesë e kontrollit kanë qenë zyrat e Financës ato të Kreybashkiakut, Tërmet Peçi dhe zyra juridike. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar materiale të vlefshme për hetimin.
Tërmet Peçi, kryebashkiaku socialist i Tepelenës që në zgjedhjet e 11 Majit garoi për deputet dhe fitoi, është kallëzuar në SPAK nga Partia Demokratike. Denoncimin, sipas kandidatit për deputet të PD në Gjirokastër, Arben Ristani është bërë referuar emisionit “Plug”. Tërmet Peçi akuzohet se bashkë me drejtorin e tij në Bashki, shtetasin Lorenc Bami kanë krijuar një skemë të mirëfilltë korruptive për të përfituar 18 milionë euro të ardhura nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Tendera 66 mln euro për kompaninë e gruas së drejtorit, PD kallëzon në SPAK Tërmet Peçin.
Konkretisht në kallëzimin e bërë në SPAK thuhet se drejtori i Bashkisë së Tepelenës, Lorenc Bami në vitin 2017 në emër të bashkëshortes Aleksandra Bami dhe në bashkëpunim me shtetasin Hekuran Hoxha,themeluan kompaninë “NG STRUCTURES shpk”. Kjo kompani ka marrë 18 milionë euro tendera nga bashkia e Tepelenës dhe Gjirokastrës dhe 66 milion euro tendera në total nga institucionet publike, ku spikasin ato të rindërtimit.
Në një emision investigativ u zbulua se motra e Tërmet Peçit, Manjola Haska, një drejtoreshë shkolle, është shndërruar në investitore dhe përfituese e fondeve të AZHBR, pasi me VKB të posaçme, i vëllai kryebashkiak i ka dhuruar mijëra metra katrorë tokë publike në fshatin Rexhin për ndërtimin e një Agroturizmi dhe ka përfituar një fond në vlerën 220.000 euro nga fondet e IPARD.