Miliarda pako nga Temu nuk do të jenë më me transport falas? Bashkimi Evropian propozon tarifë të re që zemëron blerësit online
Blerësit online në Bashkimin Evropian mund të përballen së shpejti me ndryshime të rëndësishme, pasi BE ka propozuar një tarifë fikse prej 2 eurosh për çdo pako të vogël që vjen direkt në shtëpitë e konsumatorëve, kryesisht nga Kina. Kjo masë prek direkt gjigantët e tregtisë online si Temu dhe Shein, të cilët dërgojnë miliarda porosi në kontinent.
Sipas Komisionerit të Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, kjo tarifë do të aplikohet për pakot me vlerë më pak se 150 euro, të cilat deri më tani kishin përjashtim nga detyrimet doganore. Në vitin 2023, rreth 4.6 miliardë pako të tilla hynë në BE – 90% e të cilave ishin nga Kina – duke e mbingarkuar sistemin doganor dhe duke rritur shqetësimet për cilësinë dhe sigurinë e produkteve.
“Ne duhet të garantojmë që produktet që hyjnë në tregun tonë të jenë të sigurta dhe në përputhje me standardet evropiane. Tarifa do të ndihmojë në përballimin e kostove të kontrollit dhe do të mbështesë buxhetin e BE-së,” tha Sefcovic në një seancë në Parlamentin Europian.
Si do të funksionojë tarifa?
-Për çdo paketë të dërguar direkt te konsumatori: 2 euro tarifë fikse.
-Për pakot e dërguara në depo dhe shpërndara më pas: tarifë më e ulët, 0.50 euro.
Kjo lëvizje vjen pak pas vendosjes së tarifave të reja nga SHBA ndaj mallrave kineze, përfshirë edhe ato që dërgohen nga platforma si Shein dhe Temu. Administrata e presidentit Donald Trump ka rritur tarifat për pakot me vlerë deri në 800 dollarë në 54%, ndërsa ka mbajtur një tarifë fikse prej 100 dollarësh për pako.
Frika në BE është se, pas kufizimeve në SHBA, kompanitë kineze do të përmbytin tregun evropian me produkte të lira, duke krijuar një valë konkurrencë të padrejtë për shitësit lokalë. Këta të fundit kanë shprehur shqetësimin se Temu dhe Shein shpesh shmangin standardet e rrepta evropiane, ndërkohë që përdorin përjashtime të vjetra doganore për të ulur kostot e transportit dhe çmimet për konsumatorët.
Temu deklaron se ka 92 milionë përdorues në BE, ndërsa Shein raporton mbi 130 milionë përdorues aktivë. Të dyja kompanitë janë zotuar të bashkëpunojnë me rregullatorët evropianë dhe të respektojnë standardet e vendosura.