Një hetim i autoriteteve italiane ka çuar në zbardhjen e një skeme të mirëorganizuar prostitucioni në një nga lokalet më të njohura të VIP-ave në Milano, ku përveç shërbimeve të paligjshme, janë zbuluar edhe lidhje me pastrim parash në Shqipëri.
Në qendër të këtij skandali ndodhet Stefania Nobile, vajza e Wanna Marchi, e njohur si “mbretëresha e telemarketingut”, si dhe ish-partneri i saj, Davide Lacerenza, pronar i lokalit Gintoneria. Sipas hetimeve, ky ambient përdorej për shfrytëzimin e prostitucionit, ndërsa fitimet nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë pastruar edhe në Shqipëri.
Mediat italiane kanë zbuluar detaje tronditëse mbi mënyrën se si operonte ky rrjet:
Lokali ishte i ndarë në dy ambiente në rrugën Napo Torriani, ku njëri ishte i specializuar për xhin dhe tjetri për tekilë e shampanjë të shtrenjtë. Prostitutat thërrisnin klientët nga dritaret, ndërsa brenda lokalit konsumoheshin lëndë narkotike.
Kokaina shpërndahej nga vetë pronari i lokalit, Lacerenza, i cili e konsumonte edhe vetë bashkë me klientët dhe vajzat.
Pagesat bëheshin në dy drejtime: për pijen dhe ambientin i paguhej Lacerenzës, ndërsa për shërbimet seksuale, pagesat shkonin drejtpërdrejt te vajzat.
Ky aktivitet i paligjshëm ka qenë objekt hetimi për vite me radhë. Sipas Corriere della Sera, në vitet 2013-2014 autoritetet sekuestruan gjashtë apartamente ku funksiononte prostitucioni dhe mbyllën dhjetë qendra masazhi që hapeshin dhe mbylleshin sipas kontrolleve të policisë.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë zbuluar se një pjesë e fitimeve të aktivitetit kriminal është transferuar dhe pastruar në Shqipëri, megjithëse nuk janë dhënë ende detaje mbi personat ose bizneset e përfshira.
Autoritetet italiane kanë vënë në pranga Stefania Nobile dhe Davide Lacerenza, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së prostitucionit dhe pastrimit të parave.