Milan “zhyt” Interin, kap finalen e Kupës së Italisë që nuk e fiton prej 21 vitesh
Milani mposht 3-0 Interin dhe siguron finalen e Kupës së Italisë.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, zikaltrit e nisin fort në “San Siro” me mbështetjen e publikut, por pas një traverse nga Dimarco (22′) dhe një rast të humbur nga Lautaro, janë kuqezinjtë që kalojnë në avantazh me një goditje me kokë të saktë nga Jovic (36′), që mposht Martinezin.
Në fillim të pjesës së dytë, serbi realizon dopietën personale (50′), duke përfituar nga një rrëmujë në zonë pas një goditje këndi nga e djathta dhe devijimit të Barellas.
Në minutën e 85-të, Reijnders vulos ndeshjen me golin e tretë. Kuqezinjtë tani presin të mësojnë emrin e kundërshtarit në finalen që do të luhet në Romë më 14 maj, ku Bologna është favorite pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Empolit.