Sot kreu i qeverisë Edi Rama priti në Kryeministri kryeministrin e Bavarisë Markus Söder.
Ky takim u zhvillua në të njëjtën orë me protestën e opozitës përpara Parlamentit.
Rama njofton në Facebook takimin me kryeministrin e Bavarisë.
“Pothuajse dyzet vjet pas ardhjes misterioze në Shqipëri të legjendës së Unionit Kristian-Social gjerman, kryeministrit bavarez Franz Josef Strauss, i cili i hapi rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes RSSH-së dhe RFGJ-së, mikpresim sot në kryeministri pasardhësin e tij në krye të Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder.”, shkruan Rama.
Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder
Në përfundim të takimit mes tyre dhe nënshkrimit të Marrëveshjeve të përbashkëta, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje! Siç e dini të gjithë, thuajse 40 vjet më parë në Shqipëri erdhi në mënyrë të papritur Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Franz Josef Strauss si turist dhe ajo vizitë e cila në atë kohë ishte e veshur me një vello misteri, ishte në fakt fillimi i një procesi që çoi në rivendosjen e marrëdhënies diplomatike mes Republikës së atëhershme Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, por marrëdhënia mes shtetit të lirë të Bavarisë dhe Republikës së Shqipërisë vijoi të zhvillohet dhe të konsolidohet edhe më pas.
Në kushtet e Shqipërisë së çliruar prej peshës së izolimit të dhe të diktaturës, Bavaria dhe Partia Kristian Sociale, Unioni Kristian Social u bë një mbështetje e vazhdueshme dhe e vendosur e procesit të përafrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor, por dhe posaçërisht Shqipërisë, me Bashkimin Europian dhe unë jam realisht shumë i kënaqur sot që na viziton një pasardhës i Franz Jozef Strauss, kryeministri aktual i shtetit të lirë të Bavarisë, një nga figurat më të rëndësishme të politikës së sotme gjermane, por çka është e rëndësishme të nënvizoj këtu, një nga njerëzit më të interesuar që unë kam takuar në Gjermani për zhvillimet në Ballkan, për afrimin e Ballkanit me BE dhe për të ushqyer një traditë të mirë të nisur me Shqipërinë.
Duhet të vinte më parë por pastaj ndodhi pandemia dhe pas pandemisë kryeministri më ftoi mua në Bavari në një vizitë realisht shumë speciale, shoqëruar me tingujt e Vagnerit dhe më premtoi se do të vinte shumë shpejt në Shqipëri dhe ja ku jemi sot këtu me mirënjohje për gjithë mbështetjen që kemi pasur, por edhe me një diskutim shumë konstruktiv mbi çfarë mund të bëjmë sëbashku. Marrëveshja që sapo kemi firmosur i hap rrugë pikërisht gjërave që mund dhe do të bëjmë sëbashku.
Bavaria është sot një shtëpi edhe për një komunitet të rëndësishëm shqiptar, janë rreth 10 mijë shqiptarë në shtetin e lirë të Bavarisë të cilët janë kontributorë në ekonominë e vendit, të cilët studiojnë në Bavari, pjesa më e madhe janë tanimë tërësisht të integruar në jetën ekonomike dhe kulturore. Nga ana tjetër, Bavaria është një pik referimi e vazhdueshme për të gjithë, por edhe për Shqipërinë si një vend i zhvilluar që nuk rresht së kërkuari të renë, që nuk resht së kërkuari transformimet inovative dhe me kryeministrin po flisnim edhe për një revolucion të mirëfilltë digjital që ai ka nisur në shtetin e tij dhe që përkon, pavarësisht se në dimensione krejt të ndryshme edhe me ambicien tonë për të çuar përpara një transformim digjital të Shqipërisë dhe për këtë edhe me njohjen, dijen, asistencën teknike të Bavarisë.
Tre gjëra do them në fund.
E para, që kryeministri ka ardhur këtu sëbashku me jo vetëm pjesën e qeverisë, por edhe me përfaqësues të sipërmarrjes së ekonomisë së Bavarisë dhe me dëshirën dhe vendimin për të hapur një zyrë të Bavarisë për të zhvilluar sipërmarrjen në Tiranë. Një zyrë e cila do t’i shërbejë thithjes së më shumë investime nga Bavaria, por edhe lidhjes më të afërt dhe njohjes më të afërt të të gjithë mënyrës së zhvillimit të sipërmarrjes me përfitueshmëri për të dyja vendet.
E dyta, folëm me kryeministrin për të hapur një shtëpi të kulturës së Bavarisë në Tiranë. Një ide që ai e pëlqeu shumë dhe që besoj do e realizojmë sëbashku.
Së treti, folëm për të mbështetur më shumë të rinjtë. Të rinjtë që duan të shkojnë në Bavari, por të rinjtë që duan të kthehen në Shqipëri. Të rinjtë që duan të studiojnë dhe që duan të marrin më të mirën nga universitetet e Bavarisë për tu kthyer dhe për të punuar në Shqipëri dhe në këtë pikë unë jam i bindur që kryeministri ka më shumë për të thënë dhe njëkohësisht nga lartësia e eksperiencës së tij dhe eksperiencës së Gjermanisë është njeriu i duhur sot për të ndarë dhe me ju atë që ndau dhe me mua duke ardhur nga Rumania pikërisht këtë çështjen e trendeve historike të emigracionit dhe pastaj të kthimit dhe të atyre që emigracioni sjell në jetën e një vendi qoftë përkohësisht si një plagë, por qoftë pastaj në një afat më të gjatë si një vlerë e shtuar për shkak se sjell shumë eksperienca, sjell shumë burime të ripërtërira njerëzore.
Kryeministri Soder e ka cilësuar Bavarinë vet si portën e Ballkanit perëndimor në Republikën Federale të Gjermanisë dhe ky cilësim nuk është thjeshtë një metaforë, por është një qasje për të cilën unë dua t’i shpreh kryeministrit të gjithë respektin dhe njëkohësisht të gjithë ndjenjat e miqësisë sonë për shtetin e lirë të Bavarisë dhe për gjithë popullin që jeton në atë shtet.
Shumë faleminderit dhe një herë zoti kryeministër dhe fjala është për ju!
Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë, Markus Söder: Faleminderit dhe nga ana ime!
Për mua është një kënaqësi vërtetë e madhe që ndodhem sot këtu dhe që jemi të lidhur edhe me ndjenja miqësie mes njëri-tjetrit.
Ky nuk është takimi ynë i parë; jemi parë edhe më parë me njëri-tjetrin. Ju keni qenë shpesh në Bavari, në Munih dhe në fakt, vitin e shkuar ne kemi patur idenë e një takimi të përbashkët, një shkëmbimi të përbashkët, kemi ndjekur Wagner-in dhe sikurse thamë, ishte një ngjarje vërtetë e këndshme dhe vërtetë unë premtova të vi këtu.
Pse? Sepse, e para, kemi të bëjmë me një lidhje historike mes dy vendeve tona, pra Bavarisë dhe Shqipërisë. Franz Josef Strauss ishte ai që hapi derën në kohën kur Shqipëria jetonte në një periudhë komplet tjetër.
Kjo lidhje ka mbetur në kujtesën kolektive të Bavarisë dhe partisë sime.
Ne e shikojmë veten si hapës të dyerve, si fqinj, si ura lidhëse.
Është shumë e rëndësishme ta them si fqinj, kemi ndjesinw që në Europë ka boshte të tjera, shumë pak shihet drejt Europës Juglindore, drejt fqinjve të drejtpërdrejtë, në mënyrë të që të përforcohen ndjenjat e miqësisë dhe të fqinjësisë.
Europa do të jetë e fortë vetën nëse këto marrëdhënie përforcohen dhe Shqipëria kësisoj, do të bëhet shumë shpejt pjesë e Bashkimit Europian. Nuk bëhet fjalë për të ndërtuar ura artificiale, por me respekt dhe me shpejtësinë e duhur të mund të bëjmë të mundur që Shqipëria, si vend i qëndrueshëm, i cili ka zhvilluar procese të rëndësishme reformash të bëhet shpejt pjesë e Bashkimit Europian; kjo për shkak të traditës së marrëdhënieve tona, por edhe për shkak të asaj çka ne kemi aktualisht si marrëdhënie të tilla dhe çfarë presim të shndërrohen prej tyre.
Sigurisht që ne ndajmw ndjenjat e vlerësimit për qeverinë dhe atë ccka ajo ka bërë, por sigurisht kemi një shpresë të madhe për çka do të bëhet prej Shqipërisë sepse ne duhet të mbetemi të lidhur edhe në të ardhmen me njëri-tjetrin.
Së këtejmi rrjedh, pika e dytë, që me marrëveshjet e sotme ne kemi ngritur një komision të përbashkët qeveritar në të dyja vendet, kemi këtu dhe Ministren e shtetit për Europën, zonjën Umel e cila zhvilloi vizitën në Rumani dhe Shqipëri.
Në kuadër të aktivitetit të kësaj zyre do të vendosim në aplikim, në marrëveshje, marrëveshje që kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm, sektori i drejtësisë, ekonomisë, teknologjisë.
Bujqësia, kemi marrëdhënie mjaft të ngushta në këtë sektor, këtu bëhet fjalë për bashkëveprim mes parqeve tona kombëtare. Pra, do të çojmë përpara aspektet e zhvillimit bujqësor dhe një pikë tjetër është temat që kanë të bëjnë me arsimin, shkollat dhe kulturën.
Ne e pranojmë ofertën tuaj për të ngritur këtu një shtëpi bavareze, me kulturë bavareze.
Në të shkuarën gjithmonë e kemi menduar një mundësi të tillë dhe oferta e sotme mund të ishte fillimi për shumë ide të tjera. Kjo mund të kishte ardhur prej meje, erdhi prej jush, e pranoj me kënaqësi dhe unë ju falenderoj për këtë. Shtëpitë tona të derimëtanishme kanë qenë thjesht shtëpi qw ishin mw sw shumti me kulturën etno tw Bavarisë.
Por një pikë e tretë po kaq e rëndësishme është zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike.
Për ne është e rëndësishme që sipërmarrjet bavareze, të cilat janë ndër më të fuqishmet që ekzistojnë në kontinentin europian, GDP e Bavarisë është e madhe se ajo e Portugalisë, Çekisë dhe Greqisë dhe pothuajse aq e madhe sa ajo e Arabisë Saudite.
Kemi një dinamikë të konsiderueshme në këtë drejtim.
Në Bavari, ne kemi një giga efekt të ri pas tjetrës, pra njëra pas tjetrës është duke u investuar; është duke u investuar në teknologji vërtetë gjigande.
Krahas kësaj, kjo lloj teknologjie shërben për të tërhequr njerëz nga e gjithë bota drejt Bavarisë ndaj është mjaft e rëndësishme që edhe në këtë kontekst, të përforcojmë më tej marrëdhëniet tona të bashkëpunimit.
Ekonomia dhe sipërmarrjet bavareze, sikundër biseduam dhe së bashku me kryeministrin Rama, do hapë këtu një zyrë kontaktesh, e cila do të funksionojë në të dyja drejtimet, nga Bavaria në drejtim të Shqipërisë por edhe anasjelltas. Kjo do të sjellë dhe mbështetjen e investimeve nga Bavaria në Shqipëri, po kështu mbështetje të kualifikimeve të fuqisë punëtore të kualifikuar në Shqipëri, por edhe anasjelltas.
Askujt nuk do mund t’i ndalonim që pikërisht për ata që duan të vijnë në Bashkimin Europian, dhe që është një ndër gjërat më të bukura të Bashkimit Europian dhe që ne na pëlqen më së shumti, është që njerëzit nga Shqipëria të mund të vijnë dhe të punojnë tek ne për profesione të ndryshme.
Sigurisht që ne duam të ndihmojmë me masa mbështetëse për arsimin, por duhet të jetë një situatë që do të sjellë dobi për të dyja palët, në mënyrë të ngjashme sikundër edhe në Rumani. Prej Rumanisë ne kemi student, të cilët i kemi kualifikuar mjaft mirë në Bavari dhe që kanë sjellë përvojën e tyre në Rumani.
Unë theksoj gjithnjë e më shumë një situatë përfitimi nga të dyja palët, ndaj mendoj që e sotmja është një shans mjaft i mirë për të dyja palët.
Unë mendoj që është një ditë që dëshmon marrëdhëniet mjaft të mira dhe lidhjet mjaft të mira. Dëshirojmë të vazhdojmë të punojmë më tej në këtë drejtim edhe për shkak të reminishencave historike që mbështesin dhe ne si Bavari gëzohemi që të vijmë si partnerë këtu në vendet e Europës Juglindore, duke shpresuar që Shqipëria të gjejë sa më shpejt rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
Do të keni vazhdimisht mbështetjen tonë në këtë drejtim duke ushtruar, me aq sa kemi mundësi, edhe drejt Brukselit, të tërë mbështetjen tonë.
Faleminderit!
* * *
– Zoti Kryeministër, ju sot nuk keni ardhur si turist këtu siç erdhi dikur Franz Josef Strauss, por keni ardhur me interesa politikë apo ekonomikë. Ju folët për shpresa për të ardhmen, për ekonominë dhe gjithashtu bëtë dhe kërkesa konkrete. Cilat janë qëllimet tuaja ekonomike dhe politike? Bëhet fjalë për fuqi të kualifikuar besoj?
Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder: Nuk ishte vizitë e papritur si ajo e Franz Josef Strauss. Ishte një vizitë e planifikuar kjo e imja. Ne përfaqësojmë të dy interesat nga njëra anë që të hapim dyert e ekonomisë bavareze për Shqipërinë dhe gjithashtu e anasjelltas, për të ofruar mundësi që të gëzojnë arsimimin tonë që të arsimohen dhe të formohen te ne dhe gjithashtu edhe për të krijuar lidhjet më të forta me qeverinë shqiptare. Nuk bëhet fjalë për zhvillime në një drejtim. Balancën si fjalë ne e përdorëm shpesh në vizitën tonë dhe ne shpresojmë që nga zhvillime të tilla të përfitojmë të dyja palët dhe Europa nuk është një zhvillim në një drejtim, por në dy drejtime sepse me anë të përvojës që mblidhet mund të kthehet sërish në vendlindje dhe anasjelltas.
– Zoti Strauss mbërriti në Shqipëri në ’84 dhe më pas ai pati dhe dy vizita të tjera gjatë regjimit komunist. Ndërkaq, në këto vite demokraci, vlen të theksohet që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe landit të Bavarisë kanë qenë mjaft të mira në fushën ekonomike, por unë doja të dija nëse ky bashkëpunim do të mbetet këtu apo do të ketë sektorë të tjerë prioritarë për të dyja qeveritë.
Kryeministri Edi Rama: Pikërisht për të çuar bashkëpunimin më tutje ka ardhur dhe kryeministri këtu dhe është firmosur edhe ajo marrëveshje dhe kijeni parasysh që kur gjermanët firmosin marrëveshje, lexojnë çdo gërmë dhe miratojnë çdo gërmë dhe mbasi e firmosin i shkojnë mbrapa çdo gërme. Prandaj Gjermania është aty ku është. Unë e di që ju keni parë shumë marrëveshje të firmosura lart e poshtë, po tjetër të firmosësh me Bavarinë dhe tjetër të firmosësh, po themi parti me parti në Shqipëri që të mos marrim të tjerë nëpër gojë. Marrëveshja i ka të përcaktuara fushat. Ne kemi folur me kryeministrin edhe për atë që për ne është një prioritet dhe që pas përpjekjeve të bëra është arritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të hyjnë në aleancën europiane të universiteteve që do të thotë që edhe me ndihmën e qeverisë dhe të kryeministrit në Bavari, ashtu si edhe në vendet e tjera, ne do të kërkojmë sa më shumë në lidhje me universitetet për të pasur programe të universiteteve të Bavarisë në universitetet tona dhe për t’i dhënë mundësi të rinjve tanë që të studiojnë me ato programe këtu, në Shqipëri.
Nga ana tjetër, kemi folur dhe kryeministri e preku pak, për bursa për studentët shqiptarë në Bavari dhe kështu me radhë duke u rikthyer tek ajo që është në dukje diçka e vogël, por në fakt është diçka shumë domethënëse. Është një kthesë e rëndësishme, zyra e zhvillimit të sipërmarrjes bavareze këtu në Shqipëri. Ka ardhur dhe ai që do të jetë përfaqësuesi zyrtar i qeverisë së Bavarisë këtu dhe që do të punojë ngushtësisht me ne për të ofruar oportunitete për sipërmarrjet e Bavarisë dhe ndërkohë ne nga ana jonë jemi bërë gati për të ngritur një stukturë të posaçme që do t’i lehtësojë të gjitha proceset e procedurat për të gjitha kompanitë që do të shfaqin interes për të ardhur këtu. Pra është përpjekja për ta çuar në një nivel tjetër një marrëdhënie që është shumë e mirë, por që siç e tha dhe kryeministri ka një potencial për tu bërë edhe më e mirë dhe për të pasur një balancë për të dyja palët, asaj që i thonë “win-win”!
Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder: Në fakt bëhet fjalë për shumë më tepër sesa thjesht tema e arsimit apo të kërkimeve shkencore. Në të ardhmen ne do duhet të përpiqemi që të mbërrijmë njohjen reciproke të diplomave të arsimit profesional apo diplomave të ndryshme profesionale sikundër edhe njohje reciproke në sektorë të ndryshëm ndaj është mjaft e përshtatshme ajo që ne diskutuam. Do të shikojmë në të ardhmen se si do të formësohet kjo në të shkuarën dhe kjo mendoj që ai që duhet të na drejtojë, është jo vetëm të menduarit ekonomik, por edhe marrëdhëniet kulturore sikurse bisedova.
Sigurisht që këto janë të rëndësishme në çdo agjent qeveritar këtu në Shqipëri, por me këtë lloj vizite dhe me marrëdhëniet e mëpasshme do të zhvillohet e shpërfaqet edhe më tej për sa kohë që interesi është i madh si në Shqipëri ashtu edhe në Gjermani.
Sot për mua është e rëndësishme të tregoj respektin. Kryeministri është në rrugëtime të ndryshme në Europë dhe është duke ngritur duke e bërë të zëshme Shqipërinë dhe ne dëshirojmë të tregojmë në këtë mënyrë respektin dhe vlerësimin tonë për vendin tuaj, për qeverinë tuaj dhe punët tuaja.
– Zotërinj Kryeministra, Gjermania dëshiron të përftojë fuqi punëtore të kualifikuar nga Shqipëria. Ju thatë në terma afatgjata kjo është diçka e mirë, por çdo të thotë kjo për Shqipërinë tani për tani pikërisht fakti që shumë fuqi punëtore e kualifikuar do të largohet prej Shqipërisë në drejtim të Bavarisë dhe ju thatë më parë që Shqipëria është duke u pjekur për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian, por çdo të thotë indeksi i korrupsionit. Vendi i 104 në këtë indeks i Shqipërisë, pas Tanzanisë.
Kryeministri Edi Rama: Së pari dëshiroj ta nënvizoj që kjo vizitë dhe ardhja e kryeministrit këtu nuk është për t’i hapur rrugën vajtjes së njerëzve në Bavari sepse njerëzit në Bavari kanë 30 vjet që shkojnë. Nuk është për të hapur rrugën, rruga është e hapur. Njerëzit janë të lirë fatmirësisht. Nuk jemi më në kohën e diktaturës kur Franz Josef Strauss duhet të vinte këtu si turist, i maskuar dhe bashkë me dy djemtë, me vjehrrin e vajzës në mos gabohem dhe me dikë tjetër, për të zhvilluar biseda politike. Jemi vend i hapur dhe natyrisht që siç e tha kryeministri, edhe ne do të kemi trendin tonë të lëvizjes siç e kanë pasur të tjerë më parë dhe siç vazhdojnë ta kenë. Ardhja e kryeministrit këtu është për të kundërtën. Jo vetëm në aspektin e asaj çka Bavaria përfiton nga kjo marrëdhënie, por edhe në aspektin e asaj çka Bavaria jep në këtë marrëdhënie, reciprokisht dhe për të eksploruar mundësinë që kompanitë bavareze të vijnë në Shqipëri. Është një qasje fisnike. Një qasje europeiste dhe sigurisht dhe një qasje tradicionale në raport me këtë marrëdhënie shumë speciale që u themelua nga babai i Bavarisë moderne. Nuk kam parë unë dhe nuk kemi parë ndonjë vend në historinë e lëvizjeve migratore që të ketë pasur ndonjë çelës magjik për të mbyllur derën për njerëzit që kanë dashur të largohen në një fazë të caktuar historike. Këto janë faza historike që për ne vijnë më vonë sepse ne kemi qenë totalisht të izoluar edhe nga lindja edhe nga perëndimi, ndërkohë që gjermanët e lindjes vërtetë e kishin të vështirë të shkonin në Gjermaninë e perëndimit, por shkonin kudo në lindje. Shkonin në Moskë. Shkonin në Varshavë e shkonin në Pragë e shkonin ku të donin. Ne kemi qenë Koreja e Veriut të Europës dhe sigurisht që tani jemi në këtë fazë tjetër, por ama ne nuk kemi vetëm largime, ne kemi dhe kthime. Ne shikojmë sesi ata që kthehen janë shembuj suksesi në biznes. Janë shembuj suksesi në zhvillimin rural, ndërtojnë fermat më të avancuara, ndërtojnë praktikat më të mira. Kjo është një histori e njohur.
Përsa i përket pyetjes së dytë, unë nuk do të ndalesha shumë nëpër këto anketat. Unë do t’iu ftoja t’i referoheni të vetmit burim që sipas meje bazohet 100% në fakte dhe jo në perceptime që është Komisioni Europian, raporteve të progresit të Shqipërisë. Ne kemi bërë një reformë, jemi në proces të një reforme drejtësie e cila sot është një model që Komisioni Europian kërkon ta ndjekin dhe vendet e tjera të rajonit, por sigurisht lufta kundër korrupsionit nuk është një luftë që është e shkurtër dhe as një luftë që është e thjeshtë. Është një luftë për modernizimin e vendit, për modernizimin e sistemeve dhe ajo që ne kemi bërë në Shqipëri ku kemi 95% të shërbimeve publike digjitale, pra duke mbyllur të gjitha sportelet dhe duke u dhënë mundësinë njerëzve të shërbehen përmes celularit, është transparencë, është shpejtësi, është asgjësim i korrupsionit në atë nivel.
Vazhdojmë punën, vazhdojmë reformat sepse e vetmja përgjigje për këtë është modernizimi, por Shqipëria sot nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë dje, ndërkohë që Shqipëria nesër, duhet të jetë shumë më e mirë se Shqipëria sot, nuk diskutohet. Se ne jemi këtu, e vetmja gjë ku unë jam më mirë se kryeministri është që jam pak më i gjatë, për të gjitha të tjerat është kryeministri në avantazh me mua. Pak më i gjatë. Jo sa ç’është GDP-ja e Bavarisë në raport me GDP-në e Shqipërisë, po pak më i gjatë. Për të tjerat pastaj, flasim për superfuqi këtu. Pavarësisht se juve që jetoni atje keni shumë ankesa mbase, por për ne që ju shohim nga këtej, ju jetoni në Mars, as në Hënë jo, kështu që duhet të jeni pak më të lumtur.
Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder: Rekomandim i mirë ky për mediat bavareze por nuk besoj se ka shpresë. Doja të thoja vetëm një gjë në lidhje me pyetjen tuaj. Këtu bëhet fjalë për procesin. I rëndësishëm është procesi. Ne e shohim që Shqipëria po bën përparime të mëdha dhe pikërisht këto përparime duhen vlerësuar. Ne kemi bërë këtë marrëveshje të përbashkët për të shkëmbyer përvoja gjithashtu edhe në fushën policore në drejtësi me qëllim për t’i forcuar akoma më tepër përpjekjet e Shqipërisë për të reduktuar korrupsionin. Kryeministri e përmendi “Koreja e Veriut” e Europës, besoj se ky është një përkufizim i saktë dhe rruga që është bërë që atëherë është vërtetë shumë e madhe.
Ne respektojmë dhe kemi mirënjohje dhe vlerësim për atë çka është bërë, e mbështesim akoma më tej këtë proces. E dimë që ka akoma shumë për të bërë dhe pikërisht për këtë arsye ne do të angazhohemi akoma më shumë për ta mbështetur për këtë proces. Nuk do ta bëjmë këtë gjë që në Shqipëri të nisin diskutime të tilla të tipit: çfarë kemi bërë deri tani. Ne po e bëjmë këtë gjë për të mbështetur akoma më tej, për të shprehur vlerësimin tonë dhe besoj se jemi në rrugën e mirë. Duhet vlerësuar dhe realiteti në Shqipëri. Gjithashtu duhet të shohim që ta bashkojmë sa më fortë të jetë e mundur Europën tonë dhe ky bashkim është shumë i rëndësishëm dhe për Ballkanin Perëndimor që ne të forcojmë më tej idenë tonë europiane. Pikërisht është një proces në ecuri e sipër dhe po ecën përpara.
– Duke qenë se problemi më i madh që ne kemi me Gjermaninë është që na marrin njerëzit tanë më të kualifikuar kryesisht mjeket dhe infermieret dhe për këtë çështje ju folët të dy, unë desha të flisja për revolucionin zoti Rama. Jo atë digjital për të cilin ju keni folur me kryeministrin, por për revolucionin e opozitës që ka nisur të shtunën dhe vazhdon dhe sot në momentin që ne flasim. Keni një përgjigje dhe për kërkesën e mbështetësve të opozitës për dorëheqjen tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Ka shumë gjëra që nuk mjafton të duam t’i bëjmë si Gjermania, por do na duhet shumë kohë që të arrijmë t’i bëjmë, por ka dhe gjëra të tjera që mjafton të duam t’i bëjmë siç i bëjnë gjermanët dhe mund t’i bëjmë. Një nga gjërat më të bukura në këndvështrimin tim që bëjnë gjermanët është që kur dalin, kur flasin në gjuhë të huaj ose në prani të të huajve nuk merren me njëri tjetrin. Kjo është një temë e brendshme. Kryeministri ka ardhur këtu për marrëdhëniet me Shqipërinë që janë marrëdhënie historike. Franz Jozef Strauss takoi diktatorin ose më saktë njerëzit e diktatorit atëherë, sot kryeministri më takon mua, nesër do jetë dikush tjetër që do takohet dhe mund të jenë nga parti të tjera, në Shqipëri se atje në Bavari një parti fiton gjithmonë, kështu që gjerat për të cilat ne flasim janë gjëra të interesit të përbashkët.
Se çfarë ka këtu brenda midis nesh nuk është diçka që i takon kësaj konference dhe ju e dini shumë mirë dhe unë habitem pse më pyesni sepse e kam thënë gjithmonë në gjuhë të huaj ose në prani të miqve të huaj unë nuk flas kurrë për probleme të brendshme që ne i trajtojmë shqip me njëri tjetrin. Se çfarë duhet të thotë pastaj kryeministri që vajta atje dhe ata po ziheshin me njeri tjetrin? Jo, ne jemi vend i lirë demokratik, secili ka qasjen e vet për revolucionin. Unë me kryeministrin fola për revolucioni digjital, opozita ka një tjetër revolucion në mendje, është e drejta e saj.
Kryeministri i Shtetit të Lirë të Bavarisë Markus Söder: Kështu bëhet në demokraci. Është gjithmonë dikush i cili e mendon ndryshe, kjo është e drejta dhe mundësia që ofron demokracia. Faleminderit!