Microsoft po i shet shërbime AI ushtrisë izraelite, protestojnë punonjësit – përjashtohen nga takimi me CEO-n

Pesë punonjës të Microsoft u përjashtuan nga një takim me CEO-n e kompanisë, Satya Nadella, pasi protestuan kundër kontratave të kompanisë për ofrimin e shërbimeve të inteligjencës artificiale dhe cloud computing për ushtrinë izraelite.

Incidenti ndodhi të hënën, pak ditë pas një investigimi të Associated Press që zbuloi përdorimin e modeleve të avancuara të AI nga Microsoft dhe OpenAI nga ushtria izraelite për përzgjedhjen e objektivave të bombardimeve në Gaza dhe Liban. Raporti përmendte gjithashtu një sulm ajror të gabuar në vitin 2023, ku u vranë tre vajza të vogla dhe gjyshja e tyre.

Protesta ndodhi në kampusin e Microsoft në Redmond, Washington, gjatë një prezantimi të Nadella-s mbi produkte të reja. Pesë punonjës, të pozicionuar rreth pesë metra larg tij, hapën bluzat e tyre duke zbuluar një mesazh që, kur qëndronin bashkë, formonte pyetjen: “A vriten fëmijët nga kodet tona të programimit, Satya?”

Pamjet dhe videot e incidentit, të transmetuara live brenda kompanisë, tregojnë se Nadella nuk reagoi ndaj protestës dhe vazhdoi të fliste. Dy persona të sigurisë i shoqëruan protestuesit jashtë sallës.

Microsoft reagoi përmes një deklarate për Associated Press:

“Ne ofrojmë shumë mënyra për t’u dëgjuar të gjitha zërat. Megjithatë, kërkojmë që kjo të bëhet pa ndërprerje të biznesit. Në rast të kundërt, kërkojmë që pjesëmarrësit të largohen nga ambienti.”

Kur u pyet nëse punonjësit protestues do të përballeshin me masa disiplinore, kompania nuk dha përgjigje.

Prej muajsh, një grup punonjësish ka shprehur shqetësime për kontratat e Microsoft me ushtrinë izraelite, të cilat përfshijnë përdorimin e platformës Azure për cloud computing. Raporti i AP, bazuar në dokumente të brendshme, zbuloi se përdorimi i modeleve të AI nga ushtria izraelite përmes Azure u rrit gati 200 herë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.