“Mezi pres përballjen me regjimin në Strasburg!” – Salianji pas lirimit: Po pres vendimin e Gjykatës së Lartë, më pas…

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas lirimit me kusht, duke zbuluar hapat ligjorë që do të ndjekë për të kundërshtuar vendimin e tij për dënim me një vit burg, nga i cili ka vuajtur 9 muaj.

Në një prononcim për mediat, Salianji theksoi se aktualisht është në pritje të zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, për të vijuar më pas në Gjykatën Kushtetuese. Nëse edhe ky institucion nuk jep një zgjidhje, ai paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ervin Salianji: Jemi në kushtet e një regjimi, ku dënimi im politik dhe çdo ditë qëndrimi në burg konfirmon që për interesa politike dhe për çdo interes tjetër që bie ndesh me ato të vullnetit personal të Edi Ramës për të mbajtur pushtetin me çdo formë, përdoren të gjitha institucionet dhe instrumentet ekstra politike për të krijuar klimë terrori.

Do të jem përsëri edhe një herë tjetër brenda këtij muaji, pastaj në vijim ndërtohet një program për shërbimin e provës. Përderisa është krijuar ky institucion dhe ndeke zbatimin vendimit të Gjykatës, jam në respekt të vendimit.

Pres zbardhjen e vendimit të Gjykatës së lartë për të vazhduar në Gjykatë Kushtetuese dhe nëse nuk do ketë aty zgjidhje, mezi pres përballjen me regjimin në Gjykatën e Strasburgut.