Mete: Procesi i Berlinit, mundësi e mirë për integrimin ekonomik të Ballkanit, jemi afër heqjes së barrierave jotarifore
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete deklaroi sot se qeveria shqiptare, ka ndërmarrë masa konkrete në kuadër të angazhimeve të dala nga Procesi i Berlinit.
Në fjalën e tij, gjatë punimeve të konferencës dyditore mbi Lehtësimin e Tregtisë, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Mete u shpreh se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të përmbushur synimet e përbashkëta për integrimin ekonomik dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit.
Për ministrin Mete, harmonizimi i procedurave doganore me ato të tregut të përbashkët Evropian ka rëndësi prioritare.
Progresi i arritur në nivel politik përmes heqjes së tarifave doganore mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit dhe mes vetë vendeve të rajonit tonë nëpërmjet marrëveshjeve të tregtisë së lirë, të Stabilizim-Asociimit dhe CEFTA-s, po plotësohet me masa teknike për heqjen e barrierave jotarifore, krijimin e pikave të përbashkëta të kontrollit “One Stop Shop”, njohjen reciproke të Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë, si dhe përmes një sistemi të integruar të tranzitit”, deklaroi ai.