“Metamorfoza”/ SPAK mbyll hetimet! Nën akuzë Behar Bajri e Pëllumb Gjoka. Veçohet hetimi për Ervis Martinaj


SPAK mbylli hetimet ndaj anëtarëve të dosjes Metamorfoza të identifikuar nga bisedat në aplikacionin SKY teksa porosisin apo dështojnë për të eliminuar kundërshtarët.

I akuzuar përfundoi edhe ish-prokurori i  Shkodrës Xhevahir Lita. Për personat që mbas operacionit Metamorfoza vijojnë ende në kërkim, SPAK ka veçuar hetimin. Burimet pranuan se ka edhe  disa fraksione të tjera të dosjes Metamorfoza, referuar bisedave të zbardhura nga aplikacionet SKY dhe Enxhro , që janë veçuar derisa të mbërrijnë letërporositë.

Mësohet se ish-prokurori Lita ka pranuar që përdorte aplikacionin SKY, por nuk jepen më tepër detaje mbi rrëfimin e tij. Hetimet e Metamorfozës kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze,  prej nga ku rezultoi në dhjetëra biseda se si Bajri komunikonte me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit në interes të Martinit. Nga ana tjetër bisedat tregojnë se ky i fundit garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës.

Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan.