‘Metamorfoza’/ Gjykata e Posaçme shtyn seancën shkak mungesa e avokatit të Xhevahir Litës


Gjykata e Posaçme shtyn seancën paraprake për kalimin ose jo për gjykim të dosjes “Metamorfoza”, pasi mungonte avokati i Xhevahir Litës.

Mësohet se mungesa e tij ishte për shkaqe shëndetësore. Seanca e radhës do të mbahet më datë 24 maj në orën 10 e 30 minuta.

Prokuroria e Posaçme më 4 maj dha detaje me anë të një njoftimi zyrtar lidhur me përfundimin e hetimeve për të pandehurit e akuzuar për dosjen “Metamorfoza”, ku shfaqeshin në biseda të aplikacionit “SKY” ku porosisnin eleminimin fizik të kundërshtarëve. Ndërkaq hetimi për Ervis Martinajn mbi përfshirjen e tij në këtë dosje, është veçuar. I shumëkërkuari, shfaqet në bisedat me Behar Bajrin të cilit i kërkon vrasjen e Gjin Ndojit.

Në përfundim të hetimeve, SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj të pandehurve, Pëllumb Gjoka, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç për vrasjen e Gjin Ndojit, si dhe Astmer Bilalit e Ardirit Hasanbegaj për sigurimin e mjeteve për atentatin ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.

Ndërsa ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri akuzohet për zbulimin e të dhënave sekrete, prishjen e provave dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.

Prokurorit të Shkodrës Xhevair Lita që shfaqej duke komunikuar me anëtarë të grupit për zhvillimin e dosjeve hetimore , i është hequr akuza e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor.

Në njoftimin e SPAK, përmenden edhe pasuritë e sekuestruara në pronësi të të pandehurve të cilët shfaqen në dosjen “Metamorfoza”.