Detaje të reja janë zbardhur nga seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për çështjen “Metamorfoza”, ku janë të akuzuar disa emra të njohur, përfshirë ish-zëvendës drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, dhe ish-efektiven Jonida Babameto.
GJKKO vendosi gjykim të shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni, ndërsa për Breçanin dhe Babameton çështja do të vazhdojë me procedurë të zakonshme. Dosja e tyre u shpall jashtë kompetencës së GJKKO dhe u transferua për gjykim në Gjykatën e Tiranës.
Në sallën e gjyqit, Erzen Breçani deklaroi se kundërshton provat e SPAK dhe kërkon të gjykohet me procedurë të plotë. Ai u shpreh:
“Unë dua të gjykohem me procedurë të zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe nuk mund të pranoj të gjykohem me këto prova. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Për akuzën e pastrimit të parave, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. Paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese.”
Nga ana tjetër, prokurori Vladimir Mara deklaroi se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin Sky ECC, i cili më parë ka qenë i përdorur nga bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.
Gjykata gjithashtu vendosi ndarjen e çështjes për disa persona që ndodhen ende në kërkim, mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit 2023.
Grupi i strukturuar kriminal i përfshirë në dosjen “Metamorfoza” akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë:
• Trafik ndërkombëtar droge
• Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje
• Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municionit
• Prodhim dhe shitje e narkotikëve
• Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
• Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal
• Nxjerrje e informacionit sekret
Pritet që seancat e ardhshme gjyqësore të hedhin më shumë dritë mbi rolin e secilit prej të akuzuarve në këtë dosje të rëndësishme.