Meta reagon nga burgu pas refuzimit për lirim: Nuk jam unë që rrezikoj provat, por ata që i kanë fshehur!

Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së për të rrëzuar kërkesën për lirim nga burgu, ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia përmes një postimi në Facebook. Ai thekson se nuk ka asnjë arsye ligjore për qëndrimin e tij në paraburgim dhe mohon çdo akuzë për pengim të drejtësisë.

“Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk jam unë që intimidoj dëshmitarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshmitarë, të cilët me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS,” shkruan Meta.

Ai e cilëson procesin si një “telenovelë me regji”, duke ironizuar sistemin e drejtësisë dhe SPAK-un, të cilin e akuzon se “i merr urdhrat nga tribuna e Asamblesë së PS-së”. Sipas Metës, nuk ekzistojnë prova dhe se hetimet janë të zvarritura me qëllim për ta mbajtur atë në burg sa më gjatë.

Reagimi i plotë

Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.

Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.

Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.

As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.

Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisë gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me

Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, (çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës), në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.

Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.

Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.

Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.
Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë.