Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur një takim për të prezantuar kandidatët e këshillit bashkiak në Fier dhe Lushnjë. Teksa foli për kandidatët kryesues të listës për këshilltarë bashkiakë të Partisë së Lirisë, Meta tha se kishte si qëllim mbizotërimin e zërit të të rinjve, duke shtuar se vendi po braktisej për shkak se nuk janë ndërmarrë politikat e duhura për të rinjtë.
“Dy drejtuesit e listës së PL për këshillat bashkiakë të Lushnjës e Fierit, Katerina Bano që studion për Drejtësi dhe që është angazhuar me forumet rinore dhe shoqërinë civile dhe Kristian Kina pedagog dhe me eksperiencë të njohur si senator në senatin e Universitetit të Tiranës. Është kënaqësi të mbështesim të rinjtë. Duam që zëri i tyre të mbizotërojë në këshillat bashkiake që do të zgjidhen më 14 maj. PL lufton për Shqipërinë që u përket të rinjve, jo që braktiset nga të rinjtë sepse nuk u ofrohen mundësi për shkollimin e duhur apo rritje profesionale apo paga të larta e dinjitoze për të përballuar jetesën”-tha Meta.
Ai nuk la pa përmendur edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në mes të Tiranës, duke thënë se shihet qartë rritja e kriminaliteti në vend ndërsa arsimi është i fundit në listën e prioriteteve të qeverisë.
“Dje ndodhi një ngjarje shumë e rëndë, në mes të Tiranës ndodhi një akt shumë i rëndë kriminal,. Njerëz të pafajshëm humbasin jetën. Pak ditë më parë tre vrasje ndodhën në një hark kohor rekord në mes të Tiranës. Shohim rritje të kriminalitetit, kryeministri thotë le të hanë bandat kokat me njëri-tjetrin. Arsimi është prioriteti i fundit i kësaj qeverie. Duhet të vrapojmë drejt 14 majit. Tu kërkojmë prindërve të reflektojnë, gjyshërve e gjyshërve të reflektojnë që të mos mbeten pa nipër e mbesa e për të mos qenë në një situatë të vështirë me pensione skandaloze që nuk përballojnë dot jetesën. Paratë shkojnë tek inceneratorët dhe në kompanitë off shore”, tha ai.