Meshë dhe lutje për shpirtin e Kryepeshkopit Anastas në Vlorë

Në Kishën e Shën Theodhorit në Vlorë, këtë të shtunë, u mbajt një meshë përkujtimore dhe homazh për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Dhjetëra besimtarë ortodoksë u mblodhën për të falur lutjet e tyre dhe për të nderuar kujtimin e tij, duke u përkulur edhe para fotos së Kryepeshkopit.

At Ilia Qirjo, gjatë meshës, theksoi se Kryepeshkopi Anastas do të mbetet në zemrat e të gjithë besimtarëve ortodoksë për kontributin e jashtëzakonshëm që dha për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai u kujtua për rolin e tij të madh në rindërtimin dhe ngritjen e dhjetëra kishave në të gjithë vendin, duke forcuar besimin dhe identitetin shpirtëror të komunitetit ortodoks.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, u nda nga jeta këtë të shtunë pas një sëmundjeje të gjatë. Prej datës 3 janar, ai ishte i shtruar në një spital në Athinë, ku mori trajtim deri në momentin e fundit.

Homazhet dhe lutjet për shpirtin e tij vazhdojnë në mbarë kishat e Shqipërisë, ndërsa besimtarët dhe klerikët e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje për gjithë shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj fesë dhe komunitetit.