Mesazhi që alarmoi familjen, flet motra e 37-vjeçarit që ndodhet në Spanjë: Më tha që është në rrezik…

Orgel Fusha ka shkëputur kontaktet me familjen e tij që nga data 20 tetor.

Asokohe, 37-vjeçari i dërgoi një mesazh prekës të ëmës, duke i kërkuar që të kujdeset për fëmijët.

“Hallall ma bëj gjirin, fëmijët bab shikoji. Bëhu e fortë.

Mesazhi ngriti dyshime të forta mbi fatin e tij, sidomos pasi ai e ndiente veten në rrezik. Motra e tij, Marsela, rrëfen se Orgel ishte shumë i shqetësuar dhe i mbyllur, duke e përjetuar bisedën e fundit me emocione të forta. Orgel i tha motrës se ishte në rrezik dhe pavarësisht se ajo e këshilloi të largohej nga vendi ku ndodhej, ai nuk kishte mundësi financiare dhe nuk dinte se ku të shkonte. Ai kishte shkuar në Spanjë me shokët e tij, të cilët motra e tij nuk i njihte, dhe nuk kishte asnjë kontakt me ta që mund ta ndihmonte. Frika dhe pasiguria dukeshin të qarta në fjalët e tij.

“Me shokët iku, unë as nuk i njoh. Vetëm na thoshte që janë në Spanjë. Edhe kur i thashë ik nga ai vend ku je se je në rrezik, më ka thënë ‘nuk kam lekë, nuk di rrugë ku të shkoj’.”

Familja e Orgelit është në pritje të lajmeve dhe shpreson që ai të jetë i gjallë. Pas një periudhe të gjatë pa informacion, ata kërkojnë që dikush të lidhet me ta për të sqaruar situatën e vëllait.

“Asnjë! Ne një lajm presim, të na thotë që është gjallë, ose çfarë ka ndodhur me të. Vetëm të na kontaktojnë ku është.” 

Gjithashtu, e motra shtoi se Orgeli është i ndarë dhe është prind i dy fëmijëve.