Mesazhet me emrin e Ervis Martinajt, Gazment Bardhi: Dorëzova telefonin në SPAK

Gazment Bardhi, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, në një prononcim për mediat pasi doli nga SPAK, tha se kishte dorëzuar telefonin e tij. Bardhi tha se SPAK u vu në lëvizje pas denoncimit që ka bërë për shantazhimin përmes bisedave të sajuara.

“Menjëherë sapo jam njohur me këto mesazhe kam vënë në dijeni SPAK, pasi kam menduar se kjo çështje ka të bëjë edhe me kredibilitetin e Prokurorisë së Posaçme”, tha Bardhi, duke shtuar se mesazhet me përmbajtje të rreme synonin të shantazhonin një deputet të Kuvendit të Shqipërisë.

Bardhi tha se formati që i është çuar mesazhi i rremë për shantazh nuk ekziston në formatet që SPAK ka, referuar aplikacionit Sky. “SPAK ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme për të identifikuar edhe autorët e këtij krimi të rëndë.

Nuk kam asnjë dyshim se kush mund të jenë ata që kanë nisur mesazhet, por Qëllimi i tyre ishte shantazhimi i një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë për asnjë përgjim real, janë prodhuar më qëllim kriminal për të shantazhuar një deputet. Në dijeninë time ka ndodhur edhe me persona të tjerë dhe menjëherë dhe sapo jam njohur me to, kam vënë në dijeni SPAK. Është e konfirmuar se ai format nuk ekziston në përgjimet zyrtare të Sky Ecc që ka Prokuroria e Posaçme”, tha Bardhi.

Ai ka konfirmuar se i ka vënë në dispozicion prokurorëve Dumani e Shehu telefonin personal, në kuadër të hetimeve që SPAK do të bëjë përsa i takon identifikimit të personave shantazhues.

Bardhi hyri në Prokurorinë Speciale rreth orës 15:00 ku qëndroi për rreth 40 minuta, ndërsa SPAK u vu në lëvizje pas denoncimit se ai ishte shantazhuar përmes disa mesazheve që i kishin mbërritur në aplikacionin “Signal” në ditët e fundit të shtatorit. Mesazhet drejtuar Bardhit ishin në emrin e Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK dhe që rezulton i zhdukur prej të paktën 2 vitesh.