Mesazh nga banka? Parandalohet dhe bllokohet rrjeti i mashtruesve ndaj shqiptarëve: Kujdes paratë!

Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të Raiffeisen Bank, u parandalua dhe u neutralizua në kohë rekord.

Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me Raiffeisen Bank dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.

SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.

Teksa AKSK falenderon AKEP dhe Raiffeisen Bank për bashkëpunimin e menjëhershëm i bën thirrje  qytetarëve që të denoncojnë rastet e dyshimta!