Mes tyre dhe shqiptarë/ Serbia dëbon aktivistë nga vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor: Rrezik për sigurinë kombëtare

Serbia ka marrë një vendim të papritur për të dëbuar 14 aktivistë nga vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe shqiptarë, duke i shpallur ata “rrezik për sigurinë kombëtare.” Vendimi ka shkaktuar shqetësim dhe kritika në qarqet ndërkombëtare, veçanërisht pasi personat e dëbuar ishin pjesëmarrës të një konference të shoqërisë civile në Beograd.

Më 21-22 janar, aktivistët që ndodheshin në Beograd për një konferencë ndërkombëtare, u përballën papritur me policinë serbe. Në mes të natës, ata u morën në pyetje në hotelin ku qëndronin dhe më pas u transportuan në stacionin policor. Procesi i marrjes në pyetje zgjati disa orë dhe sipas pjesëmarrësve, nuk u dhanë shpjegime konkrete për trajtimin e tyre apo për vendimin e autoriteteve.

Në fund të procesit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë lëshoi urdhër për largimin e tyre nga vendi brenda 24 orëve dhe ndalimin e hyrjes për një vit. Aktivistët e prekur janë nga Kroacia, Shqipëria, Austria, Sllovenia, Republika Çeke, Rumania, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut.

Autoritetet serbe nuk kanë dhënë një arsye të qartë për dëbimin, përveçse kanë argumentuar se individët përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare.” Ky incident ndodh në një moment të tensionuar në Serbi, ku vendi po përballet me protesta të shumta pas shembjes tragjike të një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad. Media pro-qeveritare ka sugjeruar më parë se këto protesta janë nxitur nga aktorë të huaj, por pa prova konkrete.

Incidenti është përshkruar nga organizatat ndërkombëtare si një shenjë e rritjes së autoritarizmit në Serbi. Dëbimi i një grupi aktivistësh të shoqërisë civile, pa ndonjë lidhje të dukshme me politikën e brendshme serbe, është parë si një hap ekstrem dhe i paprecedentë.

Konferenca ku merrnin pjesë aktivistët titullohej: “Strategjitë e të ardhurave të fituara për organizatat e drejtuara nga qëllimi: Si të shfrytëzoni pikat tuaja të forta dhe të lundroni në kufijtë teknikë dhe moralë të tregjeve” dhe u organizua nga “OJQ Academy,” në bashkëpunim me Fondacionin ERSTE dhe Universitetin e Vjenës për Ekonomi dhe Biznes.

Në të kaluarën, Serbia ka ndaluar hyrjen e disa individëve të cilët ishin hapur kritikë ndaj qeverisë. Megjithatë, ky është rasti i parë kur një grup individësh pa ndonjë angazhim të dukshëm politik janë trajtuar si kërcënim për sigurinë.