Merret peng dhe dhunohet për 2 orë në makinë, policia shpëton 31-vjeçarin në Tiranë

Një 31-vjeçar është shpëtuar nga policia pasi u mor peng dhe u mbajt me forcë për gati 2 orë brenda një automjeti nga një 44-vjeçar në Tiranë. Sipas policisë, shtetasi me iniciale D. P., banues në Tiranë, ka rrëmbyer me forcë shtetasin L. M., 31 vjeç, duke e mbajtur të izoluar në makinën e tij dhe duke e goditur me grushte për dy orë, për motive ende të paqarta.

Uniformat blu ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke bërë të mundur shpëtimin e 31-vjeçarit dhe arrestimin e autorit në flagrancë.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Mori me forcë në automjet, një 31-vjeçar, i hoqi lirinë dhe e dhunoi, si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pasi morën njoftim se një 31-vjeçar ishte marrë me forcë, në automjet, nga një shtetas, organizuan menjëherë punën për identifikimin e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. P., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se 44-vjeçari, për motive të dobëta, ka marrë me forcë, në automjetin e tij, shtetasin L. M., 31 vjeç, i ka hequr lirinë, duke e mbajtur në automjet, për gati 2 orë, dhe e ka goditur me grushte.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.