Merr flakë apartamenti në katin e 5-të të pallatit në Kukës, shkak dyshohet bombola e gazit
Një apartament në katin e pestë të një pallati në lagjen nr.2 të qytetit të Kukësit u përfshi nga zjarri rreth orës 11:00 të kësaj të hëne. Zjarri, pavarësisht intensitetit, nuk arriti të përhapej në banesat e tjera të pallatit. Dyshimet e para flasin për një bombël gazi që mund të ketë shpërthyer gjatë gatimit, e cila u gjet në ballkonin e apartamentit ku jetonin dy bashkëshortët dhe vajza e tyre.
Për fat të mirë, asnjë nga banorët nuk ka pësuar djegie apo dëme trupore, fakt që është konfirmuar nga ekipi i urgjencës së spitalit të Kukësit, i cili ishte në vendngjarje. Shërbimi zjarrfikës arriti të shuante zjarrin dhe të parandalonte përhapjen e tij, ndërkohë që dëmet materiale janë raportuar si të konsiderueshme.