Mendojeni mirë para se të uleni në lokal! Lista e qyteteve më të shtrenjta në Itali: Në këtë vend, një kafe kushton deri në 10 euro

Ministria italiane e Ekonomisë dhe Financave ka publikuar një raport që zbulon qytetet më të pasura dhe njëkohësisht më të shtrenjta në Itali. Sipas të dhënave nga deklaratat tatimore për vitin 2023, qytetet e Italisë Veriore dominojnë këtë renditje, ndërsa qyteti i Portofinos kryeson si vendi më i pasur në vend, me të ardhura mesatare prej 90,000 euro në vit për kokë banori.

Qytetet më të pasura të Italisë janë kryesisht të vogla dhe turistike, ku jetesa konsiderohet luks i vërtetë. Në vendin e parë, Portofino njihet jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe si destinacion i preferuar i miliarderëve, përfshirë Bill Gates, i cili e ka zgjedhur këtë qytet për rezidencën e tij verore.

Pas Portofinos, në vend të dytë renditet Lajatico, ndërsa Basiglio mbyll podiumin me të ardhura mesatare prej rreth 50,000 euro për kokë banori.

Ndër qytetet e tjera në dhjetëshen më të pasur përmenden Cernusco sul Naviglio dhe Sesto San Giovanni, me të ardhura mesatare që variojnë nga 40,000 deri në 45,000 euro. Ndërkohë, qyteti i Milanos nuk është në këtë listë të ngushtë, por të ardhurat mesatare në këtë metropol janë 37,000 euro për banor, më të larta se në kryeqytetin italian, Romë.

Raporti gjithashtu nënvizon pabarazitë e mëdha ekonomike midis Italisë Veriore dhe Jugore, duke treguar se pasuria mbetet e përqendruar kryesisht në rajonet veriore, të cilat vazhdojnë të tërheqin të pasurit dhe turistët nga e gjithë bota.

Një këshillë për ata që planifikojnë të vizitojnë këto qytete? Nëse nuk jeni milionerë, ndoshta duhet të mendoni dy herë para se të porosisni një kafe që mund të kushtojë deri në 10 euro!