Meloni i kërkon Trumpit vendosmëri për Ukrainën dhe Gazën: Si në Iran, ashtu edhe këtu duhet armëpushim

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që të tregojë të njëjtën vendosmëri që shfaqi ndaj krizës me Iranin, edhe në konfliktet në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës.

Pas përfundimit të Samitit të NATO-s të mbajtur të mërkurën në Hagë, Meloni foli për gazetarët dhe tregoi se kishte zhvilluar një bisedë me Trumpin, të cilit i kishte bërë thirrje të angazhohej më fuqishëm në zgjidhjen e dy krizave të tjera madhore që po trondisin botën.

“I thashë Presidentit Donald Trump dhe e thashë edhe në samit se e njëjta vendosmëri e përdorur në luftën midis Izraelit dhe Iranit duhet të përdoret edhe për dy armëpushime të tjera – për Ukrainën dhe për Gazën”, – deklaroi Meloni.

Duke iu referuar situatës në Lindjen e Mesme, Meloni tha se përshkallëzimi i dhunës në Gaza paraqet rrezik të madh për sigurinë globale.

“Situata në Gaza është e paqëndrueshme”, – përfundoi ajo.