Melissa Vuthaj kandidate për deputete në Lezhë: Do të jem një zë rinor i fuqishëm në Parlamentin shqiptar!

Melissa Vuthaj, kandidatja e koalicionit të djathtë “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun Lezhë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ka premtuar të jetë një zë rinor dhe i fuqishëm në Parlamentin shqiptar.

Në një mesazh drejtuar bashkëqytetarëve të Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës, Vuthaj theksoi se gjatë fushatës është njohur me sfidat dhe problemet e komunitetit dhe se është e angazhuar për të rikthyer besimin për një të ardhme më të mirë.

“Përshëndetje të nderuar bashkëqytetarë të Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës!

Unë, Melissa Vuthaj, vajza kurbinase nga qyteti i Milotit, pranova kërkesën e koalicionit të djathtë “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me drejtues liderin Dr. Prof. Sali Berisha, propozuar nga Partia Republikane Shqiptare.

Unë, Melissa Vuthaj, kandidate e këtij koalicioni, vij në listat e hapura në qarkun Lezhë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kam përfunduar studimet e larta si studente ekselente për arkitekturë dhe aktualisht po përfundoj specializimin për inxhinieri ndërtimi në Milano. Aktualisht zotëroj tre gjuhë të huaja, të diplomuara.

Gjatë periudhës së fushatës në terrenin e qarkut Lezhë jam njohur me shumë probleme që rëndojnë komunitetin. Duhen shumë punë për t’i rikthyer besimin për një të ardhme më të mirë. Gjatë kësaj fushate, koalicioni ynë ka premtuar një program tërësisht të realizueshëm, ndaj personalisht siguroj të gjithë banorët dhe komunitetin e qarkut Lezhë se do të jem një zë rinor i fuqishëm në Parlamentin shqiptar. Ndaj kërkoj votën tuaj.

Zgjidhni guximin për të ndryshuar!

Votoni arkitekten

Melissa Vuthaj”