Meksika sfidon Trump! Bllokon avionin që transportonte emigrantë, tensione të reja mes dy vendeve

Një përplasje diplomatike mes Meksikës dhe administratës së Donald Trump ka shpërthyer pasi autoritetet meksikane refuzuan të lejojnë një avion ushtarak amerikan të transportonte emigrantë të dëbuar.

Avioni, i mbushur me emigrantë të paligjshëm, ishte pjesë e operacionit të madh të dëbimit të nisur nga Trump, i cili e ka përshkruar si më të madhin në historinë e SHBA-së.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se avioni nuk arriti të ngrihej në fluturim pasi Meksika refuzoi të miratonte lejen e kërkuar për pranimin e emigrantëve. Refuzimi erdhi pak pas një incidenti të tensionuar, ku një alpinist amerikan u qëllua nga një person që dyshohet të jetë pjesë e një karteli meksikan në Kaliforni.

Kjo lëvizje e qeverisë meksikane ka zemëruar administratën e Trump, e cila ka kërcënuar të vendosë tarifa të rënda prej 25% mbi importet meksikane si kundërpërgjigje për situatën e migracionit në kufirin jugor. Trump ka paralajmëruar gjithashtu masa të ashpra ndaj emigrantëve me precedentë penalë, duke u zotuar se ata do të jenë të parët që do të largohen nga SHBA.

Sipas të dhënave të publikuara nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, forcat amerikane të emigracionit kanë arrestuar mbi 1,300 emigrantë të paligjshëm vetëm gjatë javës së fundit, prej të cilëve më shumë se 1,000 janë persona me precedentë kriminalë.