Megaoperacion Shqipëri-Itali/ Shkatërrohet rrjeti i trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës, 52 të ndaluar dhe miliona euro pasuri të sekuestruara

Një goditje e fortë është dhënë kundër një trafiku të madh ndërkombëtar të drogës që lidhte Ballkanin, Amerikën Latine dhe Italinë, veçanërisht rajonin e Pulias. Gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit të koduar “URA”, janë ekzekutuar 52 masa sigurie ndaj personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Arrestimet janë kryer në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë dhe janë rezultat i një hetimi të përbashkët midis Drejtorisë Antimafia të Barit dhe autoriteteve shqiptare, me mbështetjen e Interpol-it, Eurojust-it dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm.

Vendimet janë lëshuar nga Prokuroria Antimafia e Barit dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë, mbi bazën e dy urdhrave të arrestit të nxjerra nga gjykatat përkatëse.

Tre organizata të fuqishme kriminale me lidhje transnacionale

Hetimi, i nisur në shtator të vitit 2021 dhe i përfunduar në qershor 2022, dokumentoi ekzistencën e tre organizatave kriminale transnacionale që vepronin mes Barit dhe Durrësit. Ato merreshin me importimin, përpunimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës. Organizatat italiane, aktive në rajonin e Pulias, ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me një klan të fuqishëm shqiptar me bazë në Durrës, i cili menaxhonte trafikun e drogës që vinte nga Turqia dhe Amerika Latine drejt Europës Jugore dhe Italisë.

Hetimet, të mbështetura nga përgjime ambientale, telefonike dhe video, si dhe dekriptimi i bisedave të koduara në aplikacionin SKYECC, zbuluan transportin e mbi 255 kilogramëve heroinë dhe kokainë, të dërguara në Itali nga korrierë ndërkombëtarë.

Rrjet pastrimi parash dhe roli i shoferëve të linjave

Është zbuluar edhe një rrjet i sofistikuar pastrimi parash, ku shuma të mëdha parash transportoheshin nga Puglia në Shqipëri përmes shoferëve të autobusëve të linjës. Totali i transportuar kapte vlerën mbi 4.5 milionë euro. Rastet përfshijnë pagesa në dorë në Bari mbi 500 mijë euro, dhe transferta të tjera deri në 500 mijë dollarë drejt Amerikës Latine, si parapagim për blerjen e 500 kilogramëve kokainë nga Guayaquil, Ekuador. Në territorin shqiptar janë evidentuar dhe raste të shpërdorimit të detyrës nga efektivë të policisë.

Sekuestro në Shqipëri dhe Itali

Autoritetet kanë urdhëruar edhe sekuestrimin e pasurive me vlerë prej miliona eurosh, përfshirë prona të paluajtshme, llogari bankare dhe biznese. Në Itali u sekuestruan 9 apartamente, 4 shoqëri tregtare, 7 llogari bankare dhe 3 automjete. Ndërkohë, në Shqipëri u sekuestruan restorante luksoze, një rrjet televiziv, një agjenci imobiliare dhe kompani ndërtimi.

Të dyshuarit dhe vendet e operacionit

Gjykata e Barit nënvizoi përdorimin e teknologjive të avancuara dhe nivelin e lartë të organizimit nga këto struktura kriminale, të cilat kishin kapacitet të furnizonin grupet mafioze kryesore në Puglia. Nga masat e sigurisë janë prekur 12 shtetas italianë dhe 40 shqiptarë: 49 janë vendosur në paraburgim, një në arrest shtëpie dhe dy me detyrim paraqitjeje. Arrestimet u kryen në Durrës, Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë (Shqipëri), si dhe në Bari, Brindisi, Matera, Frosinone, Torino, Cosenza, Trento, Como, Cremona, Pomezia (Itali) dhe Belgjikë.

Model bashkëpunimi ndërkombëtar

Operacioni u realizua falë krijimit të një Ekipi Hetimor të Përbashkët (JIT) mes Prokurorisë Antimafia të Barit, SPAK dhe Eurojust. Kjo strukturë mundësoi shkëmbimin e drejtpërdrejtë të provave dhe informacionit hetimor, përfshirë përdorimin e urdhrave hetimorë europianë. Në mënyrë të veçantë, është vlerësuar përdorimi i të dhënave të marrë nga aplikacioni SKYECC, të cilat u deshifruan nga ekspertë italianë dhe shqiptarë.

Operacioni “URA” është vazhdim i një sërë veprimesh të mëdha të zhvilluara ndër vite, përfshirë operacionet “Shefi”, “Kulmi” dhe “Shpirti”, të zhvilluara mes viteve 2018 dhe 2021, ku janë ekzekutuar gjithsej 118 masa sigurie, janë sekuestruar miliona euro dhe janë kapur mbi 6 ton drogë.