Mediat ndërkombëtare rikthejnë vëmendjen te projekti i Sazanit, Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizitë të papritur në Vlorë
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, janë rikthyer në Shqipëri për një vizitë të papritur në bregdetin e Vlorës, duke shijuar fillimin e verës. Vizita, e cila nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare apo të huaja, shihet si një kombinim mes pushimeve dhe interesave të mundshme investuese.
Kjo lëvizje e çiftit Trump-Kushner vjen në një kohë kur mediat ndërkombëtare kanë rikthyer vëmendjen te projekti ambicioz i ndërtimit të një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit. Projekti, i promovuar nga vetë Kushner, parashikon një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe përfshin ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe hapësirash akomodimi, në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.
Ishulli i Sazanit, një ish-bazë ushtarake me sipërfaqe totale prej 562 hektarësh, është nxjerrë zyrtarisht nga përdorimi ushtarak në dhjetor të vitit 2024, duke i hapur rrugë projekteve të zhvillimit turistik.
Në një intervistë për “Bloomberg” në mars 2024, Kushner e përshkroi Sazanin si “një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe unike në botë”, duke nënvizuar ambicien për ta kthyer atë në një destinacion elitar për turizmin ndërkombëtar.