Shërbimet e Policisë në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë kanë identifikuar dy pika kyçe ku operon kompania “Bello”, një organizatë e fuqishme kriminale shqiptare që prej vitesh ka furnizuar Europën me kokainë nga Ekuadori.
Së fundmi, media belge “Gazet van Antwerpen” ka publikuar një artikull të zgjeruar mbi shqiptarin Denis Matoshi, i njohur gjithashtu si Eldi Dizdari. Hetimet zbulojnë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë investuar dhjetëra milionë euro nga trafiku i drogës në pasuri të paluajtshme në Dubai.
Një nga zbulimet më tronditëse është se gruaja e Dizdarit, Suada Sherifi (ish-Miss Shqipëria), është pronare e 9 pronave luksoze në Dubai, me një vlerë totale prej 17.8 milionë euro.
Si u zbulua Denis Matoshi? Një ndalim i rastësishëm në autostradë
Në vitin 2021, një makinë luksoze Mercedes Benz kaloi me shpejtësi 240 km/orë në autostradën Anversë-Eindhoven, rrugës nga Belgjika drejt Holandës. Oficerët e policisë mbetën të shtangur, ndërsa rastësisht në patrullën e tyre ndodhej edhe një producent televiziv belg, Luk Alloo, i cili po realizonte një dokumentar mbi shkeljet e rregullave të qarkullimit.
Policia ndaloi makinën pa e ditur se drejtuesi ishte Denis Matoshi, një nga njerëzit më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, italiane, holandeze dhe belge.
Kur oficerët i kërkuan dokumentet, Matoshi, i cili nuk kuptonte holandisht, u përpoq t’i qetësonte në anglisht: Ju lutem, më lini të shkoj. Ju lutem!
Policia e detyroi të dilte nga makina dhe mbeti e habitur nga luksi i automjetit. Luk Alloo, i cili dokumentoi skenën, e përshkroi Matoshin si një “humbës të ndershëm” dhe “shumë miqësor”.
Në atë kohë, askush nuk e dinte se kishin ndaluar një nga truri e mafies shqiptare të drogës.
Matoshi, i lidhur me “Masakrën e Bllokut” dhe hakmarrjet në Tropojë
Hetimet tregojnë se Matoshi ka qenë i përfshirë në trafik droge në shkallë ndërkombëtare dhe dyshohet për një rol të rëndësishëm në “Masakrën e Bllokut” në Shqipëri, ku një person mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën.
Sipas burimeve të policisë, kjo përplasje kishte lidhje me konfliktet në botën e drogës, por nuk përjashtohet as një hakmarrje për masakrën e Tropojës, ku të afërm të Matoshit ishin vrarë më herët.
Investimet në Dubai – Si pastrohen milionat nga kokaina?
Denis Matoshi, i cili ka marrë nënshtetësi belge, është vendosur në Dubai, ku ka ndërtuar një perandori financiare përmes pasurive të paluajtshme.
Në dokumentet zyrtare figuron se ai është i regjistruar në Bluewaters Island Residences 2, një nga zonat më të shtrenjta të Dubait. Por pronat janë regjistruar kryesisht në emrin e Suada Sherifit, ish-Miss Shqipëria, me të cilën ka një fëmijë.
Matoshi në paraburgim në Dubai – Belgjika kërkon ekstradimin e tij
Aktualisht, Matoshi ndodhet në paraburgim në Dubai, pas një kërkese nga autoritetet belge për ekstradim. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në importimin e sasive të mëdha të kokainës përmes portit të Antwerp-it.
Përveç kësaj, Matoshi është i përfshirë edhe në një hetim mbi klanin asirian “Y.” të Antwerp-it, ku akuzohet për korrupsion dhe përdorim të dokumenteve false.
Sipas dokumenteve, Matoshi kishte siguruar një pasaportë dhe një kartë identiteti false, të cilat ia kishte siguruar një nëpunës i korruptuar në Antwerp.
Në rrethin kriminal të Antwerp-it, ai njihet me pseudonimet “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”.
Kompania “Bello” – Rrjeti i mafias shqiptare në trafikun e kokainës
Kompania “Bello” është një federatë prej 14 bandash shqiptare të përfshira në kontrabandën ndërkombëtare të drogës.
Sipas hetimeve, Matoshi ka dërguar mijëra kilogramë kokainë në Antwerp dhe Roterdam duke bashkëpunuar me kriminelë të njohur belgë si Bayram Y. dhe kushëriri i tij Marsi, të cilët kontrollonin terminalet e kontejnerëve të DP World në port.
Por kur Marsi u nxor nga grupi dhe u plagos me disa plumba në këmbë, perandoria e Bayram Y. u shemb dhe Matoshi kërkoi partnerë të rinj. Ai u lidh me grupin e ish-kikboksierit Omar Govers dhe Najim E.M, të cilët vazhduan aktivitetin e trafikut të kokainës.
Govers u dënua me 13 vjet burg, ndërsa më pas u tërhoq nga tregtia e drogës dhe krijoi kompaninë Novvi Properties, një firmë pasurish të paluajtshme në Dubai.
Operacioni “Blanco” dhe dështimi i ekstradimit të Matoshit nga Dubai
Në vitin 2020, prokuroria e Firences nisi një ofensivë të gjerë kundër kompanisë “Bello” në operacionin “Blanco”. Matoshi u arrestua në Dubai me kërkesë të Italisë, por autoritetet emirateze refuzuan ekstradimin dhe e liruan atë nga burgu.
Sipas avokatit të tij, Sven Mary, Matoshi është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat në Itali dhe nuk ka precedentë penalë në Europë.
“Ndrangheta” dhe lidhjet shqiptare në Ekuador
Një tjetër hetim i policisë gjermane në operacionin “Platinum” ka zbuluar se Matoshi ka bashkëpunuar me “Ndrangheta-n”, mafian kalabreze, për të siguruar furnizimin me kokainë nga Amerika e Jugut.
Shqiptarët e kompanisë “Bello” kishin dërguar njerëzit e tyre në Ekuador për të ndërtuar marrëdhënie me furnizues kolumbianë dhe për të korruptuar punonjësit e portit të Guayaquil, një nga pikat kryesore të trafikimit të drogës.
Ermir Ndreaj (“Cinco”) – Një tjetër emër i mafies shqiptare në Antwerp dhe Tiranë
Një tjetër emër që shfaqet në hetime është Ermir Ndreaj, alias “Cinco”, nga Bajram Curri, i cili dyshohet për trafik droge dhe pastrim parash.
Ndreaj ka lidhje të fuqishme në Tiranë dhe është pronar i diskotekës “Cinco Cavalli” në Durrës, si dhe restorantit “Savoy Garden” në Tiranë.
Për momentin, “Cinco” shëtit i lirë në Shqipëri, pasi vendi nuk ekstradon shtetasit e tij, por hetimet ndërkombëtare kundër tij vazhdojnë.
Në verën e vitit 2024, gjatë një feste VIP në Savoy Garden, situata u tensionua kur 32-vjeçari Edison Elezaj hapi zjarr, duke plagosur disa persona. A kishte ky incident ndonjë lidhje me mafian shqiptare? Aspak! Autori i të shtënave rezulton të jetë djali i pronarit të Lajthizës, markës më të njohur të ujit në Shqipëri.
Ndërkohë, javën e kaluar, dosja hetimore që përfshin Ermir Ndreajn u dërgua në Gjykatë, pasi hetimet për trafik droge dhe pastrim parash u finalizuan. Ai nuk është i vetmi i akuzuar, pasi mes emrave të përfshirë figurojnë edhe Sani Al Murdaa dhe biznesmeni nga Antwerpeni, Yasin M., i njohur si Teentje.
Ndryshe nga Denis Matoshi, i cili është vendosur në Dubai, Ermir Ndreaj – i njohur si “Cinco” – vazhdon të lëvizë lirshëm në Tiranë, në shoqërinë e partneres së tij, avokates Elira. Meqenëse Shqipëria nuk ekstradon shtetasit e saj, ai nuk ka arsye të shqetësohet për një ekstradim të mundshëm në Belgjikë. Por nëse drejtësia shqiptare do ta lërë të qetë, kjo mbetet për t’u parë… / Gazet van Antwerpen