Media italiane: Shqipëria ndër gjashtë destinacionet më të mira për pushime ëndrrash
Viti 2025-a ofron disa opsione për turistët që duan një kombinim të relaksit dhe kostove të përballueshme.
Alessandro Molteni në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimit “Viaggiare Travel” rendit gjashtë vende, të cilat i klasifikojnë si destinacione të mahnitshme pa shpenzuar shumë, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë, Turqinë, Malin e Zi, Marokun dhe Egjiptin.
Sipas artikullit, Shqipëria po fiton me shpejtësi popullaritet mes turistëve që kërkojnë destinacione buxhetore për pushime verore. Vendi ofron peizazhe mahnitëse natyrore, plazhe të pacenuara, kuzhinë të shijshme dhe një traditë të pasur kulturore.
Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet më të bukura dhe më të aksesueshme në Shqipëri, me ujërat e saj të kristalta, plazhet me rërë dhe restorantet me çmime të përballueshme, duke e bërë atë ideale për vizitorët që kërkojnë pushime me kosto të ulët.
Një tjetër destinacion i padiskutueshëm sipas artikullit është Vlora, një qytet port i pasur me histori dhe me një bregdet magjepsës, perfekt për një pushim që ndërthur detin, kulturën dhe kuzhinën tipike me çmime konkurruese. Pushuesit italianë në dy vitete fundit mbeten turistët që kanë peshë të madhe në nurmin e vizitorëve të huaj, pasi renditen pas shtetasve nga Kosova, me gati 1 milion turistë.