“Më vjen shumë keq, u la në gjysmë…” – Ylli Limani reagon pas sherrit të dhunshëm në “Lollipop”
Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit së sotëm në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, ku ndodhej i ftuar për të performuar këngëtari i njohur Ylli Limani.
Pas ndërprerjes së koncertit ka reaguar vetë artisti në rrjetet sociale, duke shprehur keqardhjen për atë që ndodhi.
“Çka nisi si një mbramje perfekte, u la në gjysmë për shkak të një konflikti që ndodhi. Më vjen shumë keq edhe ishalla jeni krejt mirë”, shkroi Limani në një postim në Instagram, i cili më pas u fshi.
Pas incidentit, kanë dalë detaje të reja lidhur me përmasat e përplasjes, e cila përfshiu Alban Papushin dhe Valter Përshpalajn, ky i fundit person me precedent penal.
Sipas burimeve të Replikë.al, sherri nisi mes dy grupeve të rinjsh dhe degjeneroi në një konflikt fizik të dhunshëm me përdorimin e gotave, shisheve dhe sendeve të tjera të forta.
Dëshmitarët raportojnë se u dëgjuan edhe krisma, çka shkaktoi panik të menjëhershëm mes të pranishmëve.
Në vendngjarje ndodheshin dhjetëra të rinj që ndjeknin performancën live të Ylli Limanit dhe grupit “Three Dots”. Muzika u ndërpre menjëherë dhe turma nisi të shpërndahej në mënyrë të çrregullt, me shtyrje dhe përpjekje për të dalë sa më shpejt jashtë ambienteve të klubit.
Valter Përshpalaj, një nga personat e përfshirë, rezulton se në vitin 2021 është shpallur në kërkim për “Moskallëzim krimi” dhe “Plagosje të lehtë”, pas një tjetër incidenti ku kishte qenë palë me një person të plagosur.