“Më thirri të sqaroheshim” – Zbardhet dëshmia e autorit dhe oficeres së sigurisë për vrasjen e Martin Canit! Si nisi sherri tualetin e shkollës

Pas disa muajsh nga ngjarja tragjike në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën pas një sherri me bashkëmoshatarin e tij, është zbardhur një pjesë e dëshmisë së autorit të mitur, Mario Përlleshaj, si dhe oficeres së sigurisë së shkollës.

Në dëshminë e tij, Mario është shprehur se Martini e kishte thirrur për t’u sqaruar, i shoqëruar nga disa shokë. “Nuk kam pasur konflikt më parë me të. Atë ditë më thirri Martini ndërsa ishte me dy apo më shumë persona. Më tha të shkoja me të për t’u sqaruar, pa më thënë se për çfarë. Ecëm dhe shokët e tij na ndiqnin pas. Pasi ndaluam, më goditën”, ka deklaruar ai, duke këmbëngulur se nuk mban mend të ketë përdorur thikë.

Nga ana tjetër, dëshmitë e të miturve që ishin të pranishëm në ngjarje tregojnë se shoku i Martinit, Luisi, ishte i pari që goditi Marion me grusht në gjoks. Prokuroria ka administruar një pamje filmike, ku Mario shihet duke u larguar me një send në dorë, që dyshohet të jetë thikë.

Oficerja e sigurisë së shkollës, J.K., ka dëshmuar se para ngjarjes kishte marrë informacion për një konflikt mes Martinit dhe Marios në tualetin e shkollës. Ajo u njoftua nga një mësuese, e cila kishte dëgjuar sharje dhe tonet e larta mes tyre. Pas verifikimit, të dy djemtë kishin deklaruar se nuk kishin asnjë problem me njëri-tjetrin, ndaj nuk u morën masa të mëtejshme.

Gjykata ka refuzuar disa herë kërkesën e Mario Përlleshajt për ndryshim mase sigurie, duke argumentuar se vepra për të cilën akuzohet, “vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, parashikon një dënim jo më pak se 20 vjet burg ose burgim të përjetshëm. Ai vazhdon të mbahet në burgun e të miturve në pritje të procesit gjyqësor.