“Më tha ‘s’je burrë se gruaja jote’…”, vrau fqinjën 81-vjeçar dhe i vodhi paratë, autori i krimit: Kisha kredi, lekët ua dhashë vajzave

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Isuf Hasën, 64 vjeç, i akuzuar për vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta në fshatin Qafëmollë të Tiranës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 13 janar 2025 dhe është dokumentuar në dosjen hetimore.

Sipas deklaratave të Hasës, ai dhe viktima ishin fqinj dhe miq të ngushtë. Të dy kishin konsumuar kafe dhe raki në banesën e Metës mëngjesin e krimit. Hasa ka pranuar se çekiçin që përdori për krimin e gjeti jashtë shtëpisë së viktimës dhe e fshehu në xhupin e tij.

Pasi përfunduan mëngjesin, ata dolën për t’u nisur drejt Tiranës, ku viktima kishte planifikuar të takonte familjarët e tij. Gjatë rrugës, Hasa e ka goditur Metën pas koke me çekiç, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas i ka marrë portofolin dhe është larguar drejt Tiranës, ku u ka dorëzuar vajzave të tij një pjesë të shumës së vjedhur prej rreth 2 milionë lekësh të vjetra.

Hasa ka pranuar krimin, duke e justifikuar me pretendimet se viktima e kishte ofenduar. “Më tha: S’je burrë, rri 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi. Ku e di ti çfarë bën gruaja jote kur ti nuk je aty?” – ka rrëfyer Hasa para hetuesve.

Pas arrestimit, policia ka gjetur çekiçin e përdorur në krim dhe një pjesë të shumës së parave në banesën e vajzës së tij. Ndërkohë, vajza ka treguar në polici se e kishte pyetur të atin për origjinën e parave dhe kishte dyshuar për përfshirjen e tij në ngjarjen kriminale.

Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa Hasa do të përballet me drejtësinë për aktin e rëndë.