“Më tha kam këmbët e fryra”/ Vdekja e vëllait të Unikatilit, familjari ndan momentet e fundit dhe shpjegon shkakun e humbjes së jetës

Lorenc Palokaj, kushëriri i reperit të ndjerë Mentor Palokaj, ka ndarë detaje të prekshme një javë pas vdekjes tragjike të reperit të njohur, i cili u gjet i vdekur në një banesë në Prishtinë.

Në një postim të gjatë në Facebook, Lorenci ka zbuluar disa nga shenjat që mund të kenë çuar në humbjen e jetës së Mentor Palokaj, i njohur si “Tee”. Ai tregon se kishte kaluar tre javët e fundit të jetës së reperit pranë tij dhe përmend një bisedë të fundit, pesë ditë para vdekjes, kur Mentori kishte ankuar se i ishin fryrë këmbët.

“Kam pasur fatin që tri javët e fundit të jetës së tij t’i kaloj pranë tij. Pesë ditë para se të ndodhte kjo ngjarje, gjatë një bisede, ai më tha se i ndiente këmbët pak të fryra. E tha këtë në mënyrë të tërthortë, pa e bërë temë, dhe unë mendova se ishte diçka e zakonshme,” shkruan Lorenci.

Në ditën e fundit që u panë, ai përshkruan një shikim të thellë dhe të pazakontë të Mentor Palokaj, duke e ndier se diçka mund të kishte ndodhur. “Ai e jetoi jetën sipas mënyrës së tij, pa i diktuar askush se si ta jetonte, madje as vdekja nuk mundi t’ia diktonte ditën e fundit të jetës,” shkruan ai.

Lorenci thekson se pas vdekjes, mësoi se Mentori kishte vizituar një mjek, dhe rezultatet e analizave kishin treguar probleme me zemrën, duke sugjeruar se duhej të shkonte në spital. Megjithatë, sipas Lorencit, Mentori nuk kishte pranuar të ndiqte këshillat mjekësore.

“Shkaku i vdekjes s’ka qenë ashtu siç po spekulojnë mediat. Janë pasojë e problemeve shëndetësore,” ka përfunduar Lorenci, duke shtuar se është krenar që ka jetuar në kohën e tij dhe ka pasur mundësinë të kalojë momente me të.