Me snajper gati për vrasje, arrestohet në Fushë-Kuqe i riu që sfidoi Policinë dhe rrezikoi jetën e efektivëve!

Me një armë snajper me precizion të lartë në makinë dhe të gatshëm për të kryer vrasje, një 25-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore është arrestuar nga Policia në Fushë-Kuqe, Kurbin.

I riu i identifikuar si Orgjest Mehi, i njohur dhe me emrin Orgjest Shehaj, ishte në kërkim prej muajit dhjetor 2023, kur refuzoi t’u bindet urdhrave të efektivëve të Policisë dhe u largua me shpejtësi me një automjet, duke rrezikuar jetën e tyre.

Pas ndjekjes, automjeti i braktisur u gjet në fshatin Gurëz, ku gjatë kontrollit u sekuestrua arma snajper me fishek në fole dhe një sasi municioni luftarak.

Gjykata e Lezhës kishte lëshuar për të masën “arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.