Më shumë të ardhura në buxhet/ Arkëtohen 372 miliardë lekë në shtatë muaj

Buxheti i shtetit ka mbledhur më shumë të ardhura. Treguesit fiskal të ministrisë së financave tregojnë se të ardhurat për periudhën janar-korrik kanë kapur vlerën 372 miliardë lekë duke u rritur me 44 miliardë lekë ose 13.6% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ecuri pozitive duket se kanë shënuar të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që u vlerësuan në masën 318.7 miliardë lekë.

Dy nga zërat që kanë pasur performancën më të mirë të ardhurave në buxhet rezultojnë se janë tatimi mbi fitimin që është rritur me 34% , tatimi mbi të ardhurat personale e ndikuar nga rritja e pagave si dhe TVSH.

Për shkak të konjukturës në tregjet ndërkombëtare ku është shënuar rënie e çmimeve të ardhurat doganore janë me rënie, për dhe peshën kryesore e kanë mbajtur tatimet.
Por nëse bëjmë një krahasim me bazë mujore Pas rritjes së fortë në qershor, ritmi i mbledhjes së të ardhurave u ngadalësua në muajin korrik.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në korrik buxheti arkëtoi 52 miliardë lekë, nga 62 miliardë lekëve ishin mbledhur në qershor. Po ashtu me ecuri mjaft të mirë rezultojnë edhe shpenzimet e përgjithshme publike.

Për periudhën shtatë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 326.5 miliardë lekë ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 4.6 për qind më i lartë ose rreth 14.2 miliard LEK më shumë.