“Më shau nga nëna dhe më goditi në vesh”, Enton Gega akuzon Luan Tollozhinën për dhunë në QV e Pogradecit: Ai gjithmonë bën kështu në zgjedhje

Një incident i rëndë është regjistruar në një nga qendrat e votimit në Pogradec, ku komisioneri i Partisë Socialiste, Enton Gega, është përfshirë në një përplasje fizike me shtetasin Luan Tollozhina, i cili e akuzoi se kishte ngacmuar të bijën.

Sipas dëshmisë së Gegës, konflikti nisi në momentin kur në qendrën e votimit po ushtronin të drejtën e tyre persona me aftësi ndryshe. Komisioneri deklaron se kishte ndjekur rregulloren e trajnimit për lehtësimin e votimit të tyre, por Tollozhina e interpretoi situatën ndryshe dhe e akuzoi për ngacmim ndaj vajzës së tij.

“E lashë një vajzë të votonte me ndihmës, se ashtu na është thënë në trajnim. Ai më erdhi vërdallë, më akuzoi pa të drejtë, më shau nga nëna dhe më goditi në vesh. Më futi thonjtë. Mua më thonë Toni i Myfitit, atë e njohin si Luani i Minesë, e njohin nga mamaja,” – deklaroi Gega për mediat.

Situata është përshkallëzuar edhe jashtë qendrës së votimit. Sipas bashkëshortes së Gegës, Suela Gega, pas daljes nga QV, familja e tyre është përballur me një pritë nga 4-5 persona. Ajo thotë se djali i tyre, i operuar dhe me këmbë të thyer, është goditur me arka, ndërsa ajo vetë është dhunuar fizikisht ndërsa përpiqej të mbronte fëmijën.

“Godisnin djalin me arka, unë të mbroja djalin më sulmuan edhe mua. Po mbroja djalin e haja unë, se është me këmbë të thyer”, tha Suela Gega.

Ngjarja është raportuar menjëherë në polici dhe Tollozhina është shoqëruar në Komisariatin e Pogradecit. Ai ndodhet aktualisht nën hetim për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosja ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.