“Më ra bota përmbys”/ Vajza e Adriana Matoshit rrëfen prapaskenat e divorcit të prindërve

Kaona, vajza e aktores së njohur Adriana Matoshi, ka folur për herë të parë mbi ndikimin që ka pasur divorci i prindërve të saj në jetën e saj. Në një intervistë, ajo zbuloi se ndarja ndodhi kur ishte vetëm 12-13 vjeç, një moshë delikate që e bëri të ndiente thellësisht ndryshimin e madh në jetën familjare.

“Fëmija i ndien gjërat pa u thënë fare. E dija dhe e ndieja situatën në familje, ende pa ndodhur ndarja. Më dhembi shumë, sepse nuk e mendoja kurrë që do të vinte ajo ditë kur prindërit e mi do të ndaheshin. Në atë kohë më ra bota përmbys,” tha Kaona.

Përveç ndarjes së prindërve, ajo rrëfeu edhe për sfidat e tjera që e goditën njëkohësisht: ndryshimin e pesë shkollave, humbjen e shoqërisë dhe periudhën e errët që përjetoi pas këtyre ngjarjeve.

“Nuk është se dikush zgjedh me qejf të zhytet në errësirë, por thjesht mbetesh aty. Në atë kohë nuk i zgjidhja problemet, thjesht u ikja. Më pas, e kuptova që trauma nuk shërohet duke i ikur, por duke e përballuar,” shtoi ajo.

Sot, pas më shumë se një dekade nga ajo periudhë, Kaona është në një stad tjetër të jetës. Përmes përvojës së saj, ajo përcjell mesazhin se përballja me vështirësitë dhe përpjekja për të ecur përpara janë thelbësore për të tejkaluar çdo sfidë.