Me forca të shumta policie me urdhër të SPAK është vënë në pranga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Mësohet se oficerët e kanë arrestuar Beqaj, rreth orës 07:00, në shtëpinë e tij në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ai u arrestua pasi dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni.
Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e sterilizimit. Urdhër arreste janë dhënë edhe për nëntë persona të tjera, ndërkohë që pritet njoftimi zyrtar.
Ndërkohë, ish-ministri i shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.