Me pistoletë dhe municion luftarak në lokal, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 27-vjeçar me akuzën e armëmbajtjes pa leje. në kuadër të operacionit të koduar Klienti u vu në pranga shtetasi K. Xh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në Kombinat, në një lokal, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Klienti”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Xh., 27 vjeç, banues në Tiranë”, bëri me dije policia.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, me krehër e municion luftarak.