Me përqafime dhe biseda për integrimin europian, Rama pret kryeministrin e Spanjës në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor.

Takimi mes dy liderëve është karakterizuar nga një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, teksa Rama e mirëpriti homologun spanjoll me përqafime në hyrje të ndërtesës së qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare ndau detaje nga biseda me kryeministrin Sánchez:

“Me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sánchez, një takim miqësor e i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Spanjës, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës për integrimin europian të Shqipërisë,” shkroi Rama.