Më pak se 24 orë nga zgjedhjet/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në qarkun e Korçës
Ka nisur procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në qytetin e Pogradecit në KZAZ nr. 70, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. Sipas kryetarit të KZAZ-së, Mandi Mekolli, ky proces ka filluar prej orës 09:00 të mëngjesit dhe pritet të përfundojë brenda pak orësh.
Komisionerët e qendrave të votimit janë paraqitur në selinë e KZAZ-së për të tërhequr materialet zgjedhore që do të shpërndahen në shtatë njësitë administrative të bashkisë Pogradec.
Një risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja për herë të parë në procesin e votimit e grave që vuajnë dënimin në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Pojskë.
Gjykata ka dhënë një vendim përkatës, ndërsa pritet që ky vendim të komunikohet zyrtarisht pranë KZAZ-së për të mundësuar zbatimin e tij.
Ndërkohë shpërndarja e materialeve zgjedhore ka filluar edhe në bashkinë e Maliqit, Devollit dhe Kolonjës.