“Më ngacmoi të dashurën”/ Dërgohet për gjykim Darment Keli, i akuzuar për vrasjen e Amarildo Hoxhallarit në Tiranë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim Darment Kelin, i akuzuar për vrasjen me thikë të Amarildo Hoxhallarit në gusht të vitit të kaluar, në një ngjarje që u zhvillua mes një konflikti të çastit pas një ngacmimi verbal.

Ngjarja ndodhi më 24 gusht 2024, kur Hoxhallari dhe miku i tij Ardi Marishta dyshohet se ngacmuan me fjalë një vajzë që po kalonte në rrugë, e cila ishte e fejuara e Darment Kelit. Ky i fundit, që ndodhej në ballkonin e banesës së tij, pa gjithçka dhe reagoi menjëherë. Ai ka marrë një thikë dhe ka zbritur me shpejtësi për të përballur dy të rinjtë.

Pasi nisi konflikti verbal, Keli dyshohet se e qëlloi disa herë me thikë Amarildo Hoxhallarin në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në krah dhe në bark. Viktima u largua nga vendi i ngjarjes me motor, së bashku me mikun e tij, por gjendja e tij shëndetësore ishte kritike dhe humbi jetën pak më vonë.

Darment Keli e pranoi ngjarjen, duke deklaruar se kishte reaguar i revoltuar pasi kishte parë partneren e tij të ngacmuar. Ndërkohë, Ardi Marishta, që ndodhej me viktimën, u arrestua për tentativë të largimit nga vendi i krimit.

Prokuroria ka ngritur ndaj Kelit akuzën për “Vrasje me dashje” dhe ka dërguar dosjen në gjyq pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.