Me motor pa targa dhe i armatosur po shkonte të vriste kushëririn e tij, arrestohet 53-vjeçari
Policia ka parandaluar një vrasje në Kurbin, ndërsa ka arrestuar një 53-vjeçar i cili dyshohet se do të vriste kushëririn e tij. Blutë finalizuan operacionin e koduar “Cousin,” nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, duke vënë në pranga shtetasin Luan Farruku.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas kallëzimit të administruar nga shtetasi M. F., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin, se për shkak të një konflikti kushëriri i tij, shtetasi L. F., 53 vjeç, e kishte kanosur për jetën me armë zjarri dhe për këtë fakt kishte frikë të shkonte në banesë, organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes, kapjen dhe vënien në pranga të autorit.
Falë veprimeve të shpejta profesionale, bazuar në inteligjencën policore dhe kontrollin e territorit në kuadër të operacionit “Cousin”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bënë të mundur lokalizimin e autorit të dyshuar, shtetasin L. M., 53 vjeç, në rrugën e fshatit pranë banesës së shtetasit M. F.
Shërbimet e Policisë ndërhynë me profesionalizëm duke neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë 53-vjeçarin, i cili po lëvizte me një motomjet pa targa, i armatosur me një pistoletë me fishek dhe një thikë, duke kërkuar kushëririn e tij, 50-vjeçarin M. F., me qëllimin për ta vrarë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja.”