“Më kanë kapur!” – Rrëfimi 2-orësh i bosit të drogës “Fito” trondit Ekuadorin, çfarë i tha ministrit të Brendshëm pas arrestimit
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, ka ndarë publikisht detaje tronditëse nga një bisedë ekskluzive 2-orëshe me bosit famëkeq të drogës Adolfo Macías, i njohur me nofkën “Fito”, i cili u arrestua më 25 qershor në provincën Manabí.
Në një intervistë për televizionin publik EcuadorTV, Reimberg tregoi se biseda zgjati plot 120 minuta dhe kishte karakter hetimor. “Ishte një bisedë për të zbuluar disa informacione shtesë që na nevojiteshin,” deklaroi ministri, duke theksuar se qëllimi ishte mbledhja e të dhënave kyçe për rrjetin kriminal që “Fito” drejtonte prej vitesh.
Sipas Reimberg, Macías ishte fshehur në një bunkër në momentin kur forcat speciale iu afruan. “Kur dëgjoi makinën që po afrohej, ai vrapoi jashtë. Hapi çatinë dhe nxori fytyrën aty ku po e prisnin forcat ushtarake,” rrëfeu ministri.
Një moment prekës ishte reagimi emocional i “Fito”-s pas arrestimit. “Fraza që e përsëriste vazhdimisht ishte: ‘Më kanë kapur!’ – e tha të paktën dhjetë deri në pesëmbëdhjetë herë gjatë bisedës sonë,” shtoi Reimberg.
Ministri tha se gjatë bisedës, Macías reflektonte gjatë për çdo përgjigje, duke treguar për herë të parë njëfarë paqartësie dhe frike. Tashmë autoritetet janë duke analizuar të gjitha informacionet e mbledhura në këtë intervistë për të shkatërruar tërësisht rrjetin e tij.