Me kallashnikov dhe municion luftarak në banesë, arrestohet 53-vjeçari në Kukës
Policia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Arka”, duke arrestuar në flagrancë një 53-vjeçar nga fshati Lusen, i cili mbante në banesën e tij armë zjarri automatike kallashnikov dhe municion luftarak.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve operative, që tregonin se shtetasi K. P., 53 vjeç, posedonte armë zjarri pa leje në banesë. Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës organizuan dhe zbatuan kontrolle në shtëpinë e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale:
-1 armë zjarri automatike kallashnikov
-Sasi municioni luftarak
I dyshuari u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme ligjore.