Mbyllja e hapësirës ajrore shkakton kaos në Doha dhe Dubai, mijëra pasagjerë të bllokuar për orë të tëra
Kaos dhe panik janë regjistruar në aeroportet e Dohas dhe Dubait, pas mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore nga Katari, Bahreini dhe Kuvajti, si pasojë e tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme. Autoritetet vendosën të mbyllin hapësirën ajrore vonë mbrëmë, pasi Irani sulmoi një bazë ushtarake amerikane në kryeqytetin e Katarit, Doha. Ky zhvillim detyroi linjat ajrore të anulojnë ose devijojnë qindra fluturime, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar për orë të tëra në terminale.
Në Aeroportin Ndërkombëtar Hamad të Dohas, rreth 250 fluturime u anuluan dhe 238 të tjera u vonuan, sipas të dhënave të FlightRadar24. Ndërkohë, situata nuk ishte më e mirë në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, ku u anuluan rreth 145 fluturime dhe më shumë se 450 u vonuan.
“Nuk kam fjetur për 19 orë. Dhe kam pritur në këtë radhë për më shumë se nëntë orë,” tha për Reuters Lily Rogers, 21 vjeç, e cila ndodhej në një radhë 200 metra të gjatë në aeroportin e Dohas. Studentja e psikologjisë, që kthehej nga pushimet në Azinë Juglindore, tregoi se autoritetet u ofruan pasagjerëve vetëm ujë gjatë pritjes së gjatë. Mungesa e informacionit dhe lodhja shkaktuan tensione, duke çuar në përplasje mes pasagjerëve që përpiqeshin të zinin vend në radhë.
Qatar Airways deklaroi se po punon për të rivendosur orarin e fluturimeve dhe parashikon ndërprerje të mundshme deri më 26 qershor. Ndërkohë, aeroportet e Dubait dhe zyra e shtypit e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe nuk dhanë asnjë koment lidhur me situatën.
Presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit është në fuqi dhe u bëri thirrje palëve të respektojnë marrëveshjen, duke rritur shpresat për t’i dhënë fund luftës 12-ditore. Megjithatë, përplasjet dhe sulmet mes vendeve vijuan edhe gjatë orëve të fundit.