Mbyllet pas 150 orësh ‘ferri’ i flakëve në Elbasan! Shuhet zjarri në Landfillin e mbetjeve, mbetet pas një plagë e thellë mjedisore

Pas gjashtë ditësh zjarri intensiv që mbuloi qiellin e Elbasanit me tym të zi dhe helmues, më në fund është arritur shuarja e plotë e flakëve që dogjën pa ndalim fushën e mbetjeve urbane në Landfillin e qytetit.

Që prej orës 16:00 të së dielës, nuk është vërejtur më asnjë shpërthim flakësh apo shtyllë tymi nga zona e cila prej ditësh u kthye në një pikë kritike ndotjeje dhe alarmi për shëndetin publik.

Janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse, punonjës të bashkisë, ushtria dhe strukturat qendrore të qeverisë. Sipërfaqja prej 20.000 metrash katrorë e mbuluar nga mbetjet është mbuluar me më shumë se 35 mijë metra kub dhe, me një trashësi që shkon nga 1.5 deri në 2 metra në pjesën e sipërme, duke e izoluar përfundimisht përhapjen e zjarrit nga nëntoka.

Kjo masë drastike e ndërhyrjes vjen pas një ultimatumi të dhënë nga Kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi shuarjen e flakëve me çdo kusht brenda fundjavës, pas kritikave të ashpra për përgjigjen e vonuar ndaj katastrofës.

Por ndërsa zjarri është shuar, pasojat që la pas janë të rënda. Ekspertët e mjedisit e konsiderojnë këtë si një ngjarje katastrofike për ekosistemin e qytetit, me ndotje alarmante të ajrit, rrezik për ujin dhe tokën, dhe me pasoja të mundshme për shëndetin e banorëve që do të duan kohë për t’u vlerësuar.