Mbyllet faza e parë e konkursit në Policinë e Shtetit: Mes 200 konkurentëve 10 gra në garë për t’u bërë shef komisariati!

Rreth 200 punonjës policie me gradat “nënkomisar”, “komisar” dhe “kryekomisar”, kanë shfaqur interes në garën për 48 komisariatet në të gjithë vendit, e cila është mbyllur ditën e premte (8 nentor) me fazën e parë të aplikimeve.

Në mesin e tyre janë 10 janë gra, të cilat synojnë emërim për shef komisariati që bëhet për herë të parë, pas ndryshimeve ligjore në ligjin për Policinë e Shtetit.

Komisioni që do të shqyrtojë kandidaturat përbëhet nga 3 gra, ndërsa brenda afateve ligjore secila kandidaturë do të kalojë në filtër të veçantë, për t’u përmbyllur me intervistimet dhe përzgjedhjen përfundimtare.

Mësohet se pjesë e garës janë bërë të gjithë shefat aktual të komisariateve, përfshirë shefa krimesh apo rendit dhe sigurisë, e më gjerë.

Ndërkohë, në Policinë e Shtetit, të shtunën u përmbyllën intervistimet për 42 kandidatët në garën për drejtues qarku, ndërsa maksimumi deri në fundin e javës së ardhshme përmbyllet procesi, duke bërë zyrtarisht emërimin e 12 drejtuesve të rinj, të cilët po ashtu vijnë pas një procesi gare që u zhvillua për herë të parë.